Prezenca e një guide që shpjegon vlerat e një muzeu apo galerie është gjithnjë e nevojshme, për të mësuar më shumë rreth veprave të ekspozuara në të.

Ciceroni virtual është i njohur prej kohësh në vende të tjera, ndërsa në Shqipëri aplikacioni që shpjegon Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe veprat e ekspozuara në të, vjen për herë të parë si një instrument dixhital interaktiv i bazuar në modelin e muzeut të Luvrit.

“Është aq i thjeshtë sa i bën një shkarkim aplikacionit dhe mjafton të klikosh butonin ‘skanim’ dhe skanohet fotoja, skulptura apo atë vepër për të cilën ne duam të mësojmë më shumë. Ky informacion vjen në të shkruar dhe në të dëgjuar”, deklaroi Engjell Rraklli, specialist IT i aplikacionit.

Aplikacioni shërben për të rritur interesin e publikut rreth ekspozitave si një instrument modern dhe i domosdoshëm për ata që duan të njihen me pasuritë artistike.

“Ky është vetëm fillimi. Në momentin e parë 5 veprat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve, pasi si çdo risi duhet parë edhe vizioni që një teknologji e tillë ka”, tha Elton Koritari, drejtor kreativ i aplikacionit.

Prezenca e ciceronit virtual nuk do të zbehë rolin e ciceronit fizik.

“Na duhet gjithmonë ciceroni origjinal për të na dhënë informacionin që pastaj ciceroni virtual do ta përhapi masivisht. Ciceroni funksionon shumë mirë në turet në grupe. Bëhet fjalë për diçka tjetër që e implementon, nuk zëvendëson asgjë”, vijoi Koritari.

Projekti i mbështetur nga Ministria e Kulturës synon të shtrihet në të gjitha galeritë në vend.

Top Channel