Përurohet busti i Fan Nolit në Durrës

15/07/2016 00:00

Busti i një prej kolosëve të mendimit dhe letrave shqipe, imzot Fan Nolit është përuruar sot në hyrje të rrugës që mban emrin e tij, pranë Kishës Ortodokse të Durrësit, qytetit ku në mars të vitit 1914 ai mbajti meshën e parë në gjuhën shqipe.

Me këtë rast në Durrës u zhvillua edhe një simpozium i organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve të Qytetit, ku mori pjesë dhe biografi i Fan S. Nolit, shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi. 

Bashkia e qytetit i akordoi Nolit edhe titullin “Qytetar Nderi i Durrësit”, qytet ku ai kaloi disa vite të jetës së tij. Noli mbante titullin kryepeshkop i Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Gorës dhe Shpatit, primat dhe ekzark i Ilirisë dhe gjithë Shqipërisë.

Mitropolia e ngritur pranë vendit ku ndodhet sot kisha ortodokse u bë selia zyrtare dhe shtëpia e tij në vitet 1921-1924, ku ai jo vetëm do të banonte, por edhe do të zhvillonte veprimtarinë  e tij kishtare dhe social-politike.

Top Channel