PD: Jo propozimit të Nuland. Jo autoritet kushtetues ndërkombëtarëve

13/07/2016 14:30

“Miqtë flasin hapur me njëri-tjetrin, edhe kur bien dakord edhe kur nuk bien dakord”. Kjo është përgjigjia e Lulzim Bashës për zhgënjimin e shprehur për të tretën herë brenda pak javësh nga ambasadori amerikan. Por, ai siguroi se negociatat janë të hapura.

“Ndryshe nga gënjeshtrat që tha sot kryeministri, dua t’u konfirmoj së pari se Partia Demokratike jo vetëm nuk e ka refuzuar, por e konsideron propozimin hibrid një hap larg marrëveshjes për reformën në drejtësi. Dhe hapi që duhet të përmbushet është sjellja në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias të rolit të misionit ndërkombëtar të monitorimit, duke e fuqizuar dhe jo duke e dobësuar atë”, tha Basha.

Këtë qëndrim Basha e ka mbajtur edhe në mbledhjen e grupit parlamentar. Njësoj si ai ka folur edhe Berisha, sipas të cilit Partia Demokratike nuk do të pranojë kurrë një rol vendimmarrës të ndërkombëtarëve në përzgjedhjen e anëtarëve të vetingut.

Të dy ata janë takuar pas dreke veç e veç me ambasadorin amerikan, ku kanë mbrojtur tezën se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk mund të ketë kompetenca kushtetuese dhe të mos japë askund llogari për vendimet e tij.

“Nëse diçka nuk shkon mirë apo shkon tmerrësisht keq, ku ta drejtojë gishtin qytetari shqiptar? Te kryeministri i Finlandës, tek kryeministri i Zvicrës? Nuk mund të ketë kompetenca kushtetuese pa pasur llogaridhënie kushtetuese. Partia Demokratike është fare e qartë, monitorimin më robust, më të fuqishëm të mundshëm, por jo ndërtimin e perdeve, alibive apo kthesave ku projekti i reformës në drejtësi mund të përplaset me interesat e Edi Ramës”, theksoi Basha.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, deputetët Astrit Patozi, Majlinda Bregu dhe Genc Ruli u treguan kritikë për atë që e quajtën ndryshim të qëndrimit të opozitës për rolin e ndërkombëtarëve dhe faturën politike që rrezikon të marrë opozita nga elektrorati.

Deputeti Patozi tha se, Lëvizja Socialiste për Integrim po e shfrytëzonte këtë situatë për t’u fshehur pas qëndrimit të Partisë Demorkatike.

Por kryetari Basha tha se opozita është koherente që prej fillimit dhe se, megjithëse propozimi i fundit është në masën 95 për qind i njëjtë me propozimin hibrid të amerikanëve, opozita është e hapur për negociata. 

Top Channel