Kryetari i Bashkisë së Tiranës përuron rrugën “Hamdi Cenoimeri”

13/07/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka përfunduar fazën e dytë të ndërtimit të rrugës “Hamdi Cenoimeri” dhe tashmë rreth 2 mijë banorë që jetojnë në zonën periferike të Selitës dhe Sharrës në Njësinë Administrative Nr. 6 kanë një rrugë të re.

Punimet e kryera në këtë rrugë u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e vlerësoi këtë investim të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për mjetet, por edhe ata që duan të vrapojnë apo të shijojnë natyrën dhe liqenin e Vaqarrit.

“Më vjen mirë që sot rruga “Hamdi Cenoimeri”, e cila është një rrugë që lidh zonën urbane me atë rurale të Kombinatit, ku jetojnë mbi 2000 familje, të cilave iu rritet vlera e shtëpisë dhe e pronës. Rruga gjithashtu, lidh pjesën urbane të Kombinatit me liqenin e Vaqarrit, dhe përdoret qoftë nga nxënësit që shkojnë në shkollë apo për të apasionuarit pas vrapit. Ndaj besoj se kemi bërë një investim jashtëzakonisht inteligjent”, u shpreh kryetari i bashkisë.

Veliaj theksoi se, ashtu si edhe në çdo zonë të Tiranës, ku janë bërë investime të kësaj natyre, edhe në këtë lagje, kjo rrugë i jep një vlerë më të madhe pronës, si dhe e bën atë më të aksesueshme.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se në projektin e Planit të Përgjithshëm Vendor e gjithë zona e Kombinatit parashikohet të jetë një nga polet e veçanta të kryeqytetit, e pajisur me infrastrukturën e nevojshme rrugore dhe sociale.

Top Channel