Kosovë, Dhurata Hoxha pranon zyrtarisht detyrën e ministres së Drejtësisë

13/07/2016 00:00

Në kuadër të emërimeve të reja në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ministri i deritanishëm i Drejtësisë, Hajredin Kuçi i ka dorëzuar këtë të mërkurë detyrën ministres së sapoemëruar në këtë post, Dhurata Hoxha.

Sipas një njoftimi të këtij dikasteri, ministri Kuçi e ka vlerësuar emërimin e Hoxhës si një lajm të mirë për Kosovën.

“Zëvendëskryeministri i parë Kuçi tha se, në pozicionin e ri zonja Hoxha do ta rrisë perceptimin për sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, siç shtohet më tej, ministrja e sapoemëruar Dhurata Hoxha falënderoi ish-ministrin Kuçi për punën që ka bërë gjatë këtyre viteve, si dhe kërkoi që bashkëpunimi mes tyre të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë, ajo tha se do të angazhohet që të forcojë luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, duke forcuar më tej parimin se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit”, thuhet në njoftim.

Top Channel