Meta në Parlamentin e Malit të Zi: Të respektohen simbolet e shqiptarëve

12/07/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka mbajtur fjalimin e parë në gjuhën shqipe në Parlamentin e Malit të Zi. Në fjalën e tij, Meta ka shprehur mirënjohje për mikpritjen që populli malazez tregoi ndaj qytetarëve të Kosovës gjatë krizës së luftes.

Ai iu drejtua edhe disa deputetëve pro-serbë të opozitës që protestuan kundër Kosovës gjatë vizites së tij në Podgoricë.

“Përsa i përket mesazhit që disa deputetë të opozitës dhanë me rastin e vizitës time këtu në Mal të Zi, kam edhe unë një mesazh për ta nga Parlamenti i Malit të Zi. I siguroj ata se ne jemi të përqendruar për të punuar së bashku për të ardhmen e rajonit tonë me të gjitha vendet, dhe pa dyshim edhe me Serbinë. Me këtë rast dua të theksoj se çdo ditë marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë përparojnë dhe njohin progres të admirueshëm. Ne jemi të angazhuar që në pak vite t’i çojmë marrëdheniet e Shqipërisë me Serbinë në atë nivel të shkëlqyer që janë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund të garantojmë një të ardhme të sigurt të qytetarëve tanë e të të gjithë vendeve tona në rajon”, ka thënë Meta.

Më pas Meta ka përuruar instalimim e përkthimit në shqip në Parlamentin malazez, duke e cilësuar atë një arritje të vërtetë demokratike. “Nga sot deputetët shqiptarë të Malit të Zi do flasin shqip. Kjo është një arritje demokratike”, ka thënë Meta.

Ai ka theksuar se, duhet bërë më shumë për shqiptarët, duke kërkuar respektimin e të drejtës pronësore. “Tuzi duhet të jetë komunë e pavarur. Ndërsa komuna e Ulqinit duhet të administrojë vetë të mirat detare”, ka thënë Meta.

Por, kjo vizitë dhe dekorimi i kryeministrit Gjukanovic nuk u pritën mirë nga deputetët e partisë opozitare Demokracia e Re Serbe, të cilët me një banderolë në hyrje të Parlamentit shkruanin me gërma cirilike se “Kosova është zemra e Serbisë dhe se populli i Malit të Zi nuk e pranon pavarësinë e Kosovës”.

Në fjalën e tij në Parlament, Meta u tha deputetëve protestues se dy vendet po punojnë së bashku për të ardhmen e sigurtë të rajonit.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel