Ligji i ri për armëmbajtjen, dënimi sipas kategorive

11/07/2016 00:00

Pas shfuqizimit që Gjykata Kushtetuese i bëri ashpërsimit të dënimeve të armëmbajtjes pa leje, që arrinin nga 5 deri në 8 vite burgim dhe në rrethana cilësuese nga 15 deri në 20 vite, qeveria propozon që për këtë vepër penale të ketë kategorizime.

Në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani shpjegoi ndryshimet e reja që parashikohen në Kodin Penal.

“Armë zjarri, municion apo lëndë shpërthyese përbëjnë një kategori dhe quhen armë pa leje. E rëndësishme është të ndahen në varësi të vendit se ku kapen. Një armë e kapur në shtëpi nuk është njësoj e rrezikshme si një armë e mbajtur në brez në rrugë”, tha ministri Manjani.

Deputetët e opozitës u shprehën dakord me propozimet e reja, duke e lidhur qëndrimin e tyre në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por ndërhyrjet e shpeshta në Kodin Penal morën kritikat e deputetit të LSI-së, Luan Rama.

“Kjo ndërhyrje që ne po diskutojmë sot është e 17-a në Kodin Penal në 3 vitet e qeverisjes së koalicionit tonë. Kjo dëshmon në thelb mungesë vizioni dhe serioziteti”, tha deputeti Luan Rama nga LSI.

Rreth 7 muaj më parë Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ashpërshimin e dënimeve për armëmbajtjen pa leje, që u ndërmorën me nismë të Ministrisë së Brendshme. Manjani tha po ashtu në komision se, gjatë kësaj periudhe ka pasur një vakuum ligjor dhe se, me ndryshimet e reja mund të përfitojnë vetëm të akuzuarit, të cilët për këtë veper penale nuk kanë marrë një vendim të formës së prerë.

Top Channel