Basha reagon për grabitjen e bankës në Vlorë

11/07/2016 00:00

Kreu i Partisë Demokratike ka reaguar për grabitjen me maska të një banke gjatë ditës së sotme në qytetin e Vlorës.

“Kur vendin e qeverisin grabitës me kostum, grabitje me maska do të ketë. Sot një tjetër vjedhje banke ndodhi në Vlore, në zemër të këtij qyteti në Sheshin e Flamurit. Kjo është e katërta vjedhje bankash ne harkun kohore të 18 muajve. Njëra grabitje me armë pason tjetrën, dhe nuk janë vetëm milionat me euro që po avullojnë çdo ditë, por më e rëndë është vjedhja e çdo standardi sigurie”, shkruan Basha në “Facebook”

Qytetari nuk ka më se ku të besojë, ligji ka rënë, shkruan Basha. “Rendi e siguria publike po e po. Ai ka vetëm një shpresë për momentin. Duhet t’ia dijë për nder varfërisë së tij. Vetëm varfëria e mbron nga grabitja me maska. Siç është pjesa dërrmuese e popullsisë sot. Ka kaluar më parë qeveria aty, ndaj skanë më ctë marrin. Cdo kush tjetër që ka një biznes, një dyqan, një lokal, një punishte, një rrobaqepsi, një furrë buke, apo që mund të ketë kursime, është i kërcënuar”.

Kreu i PD thotë se arsyeja kryesore e grabitjeve me armë në mes të ditës është se sigurinë që nuk e kanë më qytetarët e vendit, e ka krimi. “Krimi është sot më i sigurtë se kurrë më parë, sepse krimi ka kapur të vetmin armik që mund të ketë, të vetmen instancë para të cilës zbrapset, që është qeveria, që është kryeministri, ministri i brendshëm dhe krerët më të inkriminuar të policisë së shtetit në këto 25 vite”.

Më tej në postimin e tij Basha thotë se vendi grabitet çdo ditë nga qeveritarë grabitqarë, që vjedhin në dogana, në tatime, në tendera e koncesione, e plaçkisin më tej edhe më shumë. “A nuk është kjo një thirrje për çdo grabitës,a nuk është një legalizim i grabitjes”.

Në fund, Basha shkruan se PD do të rikthejë ligjin dhe forcën e ndëshkimit.

Top Channel