Kosovë, Nuland: Demarkacioni, i rëndësishëm për eurointegrimin

10/07/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa priti në një takim ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, me të cilën diskutuan për zhvillimet në Kosovë, për bashkëpunimin dhe përkrahjen e mëtejshme të SHBA-ve për Kosovën.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, zëvendësasistenti i Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Michael Carpenter, si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.

Kryeministri e njoftoi ndihmëssekretaren amerikane për progresin e arritur në proceset eurointegruese, në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e shtetit ligjor.

Mustafa foli edhe për proceset aktuale dhe për përkushtimin e institucioneve të Kosovës në adresimin e çështjeve të rëndësishme që lidhen me të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa tha se institucionet e Kosovës, duke u bazuar edhe në përkrahjen e ofruar nga SHBA-të, do të adresojnë çështjen e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke i hapur udhë lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në vendet e BE-së.

Duke shprehur mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e ofruar, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë për fuqizimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës.

Mustafa, po ashtu, theksoi interesimin që të punohet në riformatimin e Qeverisë, i cili do të përfshijë zvogëlimin e kabinetit, përfshirjen e njerëzve të rinj si dhe rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e proceseve reformuese.

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, i përcolli kryeministri Mustafa përshëndetjet e Presidentit Obama nga Samiti i Varshavës. Nuland, po ashtu, vlerësoi progresin e arritur, si dhe shprehu përkrahjen e mëtejme të SHBA për proceset në Kosovë.

Ndihmëssekretarja amerikane theksoi rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives eurointegruese të Kosovës.

Nuland gjithashtu vlerësoi reformat e ndërmarra në zhvillimin ekonomik, në luftën kundër terrorizmit si dhe shprehu përkrahjen për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, si dhe inkurajoi që të vazhdohet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Top Channel