Opozita unifikon votën, aleatët “mandatojnë” Bashën për qëndrimin

08/07/2016 00:00

Sido që të përfundojë reforma në drejtësi, Lulzim Basha po bën përpjekje për të pasur një opozitë të unifikuar në Parlament. Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu e kanë mandatuar Bashën të marrë vendime edhe në emër të tyre.

“Opozita do të shkojë e bashkuar në zgjedhje. Brenda tyre mund të ketë opinione personale nga njerëz të ndryshëm, por kjo është çështje tjetër. Unë gjykoj që është një ligj që duhet të kalojë në parim me konsensus”, deklaroi Dashamir Shehi.

“Unë shpresoj që pazari i gjësë së gjallë të ketë mbaruar dhe këtë pazar ta lëmë të paktën brenda ambientit shqiptar, mos e zgjerojmë tej tij. Nuk ngelet për të trokitur në derën e opozitës, por është për të trokitur në derën e mazhorancës për t’i dhënë zgjidhje”, deklaroi Fatmir Mediu.

Takimi i Bashës me dy deputetët aleatë vjen një ditë pasi kreu i Partisë Demokratike paralajmëroi djegien e mandateve të të gjithë opozitës, nëse tentohet trafikimi i deputetëve të saj për një draft jokonsensual.

Deri tani, as mazhoranca nuk ka dorëzuar në Kuvend një nismë të njëanshme për reformën në drejtësi, siç paralajmëroi të hënën kryeministri Rama pas takimit të dështuar me kreun e opozitës.

Top Channel