“Rinasi” zbret në Kuvend, Berisha: Mazhoranca e dominuar nga krimi

07/07/2016 00:00

Grabitja në aeroportin e Rinasit ka zbritur në Parlament. Në seancën e kësaj të enjteje, ish-kryeministri Sali Berisha bëri përgjegjëse qeverinë, lidhjet e të cilës me krimin, sipas tij, bënë të mundur realizimin e kësaj grabitjeje.

“Mazhoranca është e dominuar në çdo qelizë nga krimi i organizuar. Çdo javë kemi një ngjarje të madhe kriminale. Ajo që ndodhi në aeroport është një akt i mirëfilltë terrorizmi. Për 12 minuta banda e armatosur pushtoi pistën e avionëve”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka akuzuar qeverinë se me deklaratën se nuk ka përgjegjësi “lau duart për ngjarjen”. “Është e paimagjinueshme për një polici të thotë se nuk kam përgjegjësi për sigurinë në aeroport”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, qeveria ka gënjyer edhe për sasinë e parave të vjedhura. “Janë mbi 20 milionë euro. Janë nisur nga banka 115 kilogramë me euro dhe prej tyre u rrëmbyen 85 kg”, ka shtuar ish-kryeministri.

Në fund, Berisha ka ftuar deputetët e mazhorancës të shqyrtojnë formulën e re të PD për reformën në drejtësi, e cila sipas tij “duhet të bëhet vetëm në bashkëpunim me opozitën”.

Ai ka folur edhe për foton e Ramës me presidentin Obama, duke thënë se, “ai mund t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare, por jo asaj amerikane”.

Ndaj akuzave të Berishës ka reaguar deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili i ka cilësuar deklaratat e ish-kryeministrit si një sulm ndaj sistemit bankar.

“Berisha sulmoi rëndë sistemin bankar. Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave të mbajnë qëndrime për këto deklarata të tij”, ka thënë Braçe.

Top Channel