Oferta e PD-së për reformën. Peleshi: Kërkojnë prezencë politike në veting

07/07/2016 00:00

Pas deklaratave të fundit të liderit të opozitës, ka reaguar zv/kryeministri Niko Peleshi, i cili tha se nuk ka zyrtarisht një tërheqje në sensin pozitiv të PD-së sa i takon reformës në drejtësi, ndërsa vuri në dukje se kjo parti ka kërkuar prezencë politike në institucionet që do të bëjnë vetingun, apo rithemelimin e sistemit tonë të drejtësisë.

Sipas Peleshit, Partia Socialiste ka kërkuar një ekspertizë ndërkombëtare që garanton pavarësi dhe profesionalizëm: “Nëse ka një tërheqje në sensin pozitiv, natyrisht që do të ishte një lajm i mirë, por ne nuk e kemi ende një lajm të tillë zyrtar. Kemi një komunikim të paqartë mediatik dhe vetëm kaq. Nuk kam se çfarë them më shumë. Uroj që PD-ja të kthehet në rrugën e miratimit të reformës në drejtësi”.

Më tej, Peleshi tha se do të ishte një lajm shumë i mirë për shqiptarët nëse në datën 21 korrik “do të miratonim të gjithë së bashku pa asnjë firo vote reformën në drejtësi” dhe për të hapur një kapitull të ri, jo vetëm në drejtësi dhe politikën shqiptare, por në të gjitha zhvillimet sociale dhe ekonomike në Shqipëri sepse reforma në drejtësi do të krijonte një mjedis tjetër edhe për bizneset dhe investitorët e huaj.

Këto deklarata, nr. 2 i qeverisë i ka bërë nga Korça, teksa ka qenë i pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes me Ministrinë e Ekonomisë për rijetëzimin e pazarit të vjetër të Korçës.

Top Channel