Kosovë, mashtronte qytetarët në emër të KFOR-it, arrestohet personi

07/07/2016 00:00

Pas një pune hetimore të realizuar nga ana e hetuesve të stacionit policor “Qendra”, të enjten në orën 9 të mëngjesit, policia arrestoi në flagrancë të dyshuarin B. Haziri, në përpjekje për të mashtruar viktimën e radhës A. Q. nga Ferizaj.

“Mbështetur në rezultatet e veprimeve hetimore të ndërmarra nga ana e policisë dyshohet se, që nga data 28 maj, i dyshuari ka arritur të mashtrojë së paku 8 qytetarë të Republikës së Kosovës, duke u paraqitur në mënyrë të rremë si i punësuar zyrtar në një nga kampet e KFOR-it, në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, pothuajse në të gjitha rastet e raportuara, i dyshuari u ka marrë vlera parash nga 3.500-5.000 euro qytetarëve të ndryshëm, duke i mashtruar se në këmbim do të marrin vetura ose mjete të rënda pune.

Vlera e përafërt e mashtrimit dyshohet të arrijë në 26 mijë euro.

Me rekomandimin e prokurorit të Shtetit, të dyshuarit i është shqiptuar masa e arrestit prej 48 orësh, për t’u dërguar më pas në qendrën e paraburgimit në Prishtinë.

Top Channel