Formula e PD, Rama: Propozim i ri, avaz i vjetër; Reagon Basha

07/07/2016 00:00

Propozim i ri apo avaz i vjetër, kështu e ka komentuar Kryeministri Rama propozimin më të fundit të paraqitur nga Partia Demokratike për çështjen e mbetur ende pa konsensus për reformën në drejtësi.

Rama shkruan se mazhoranca është për konsensus për reformën, por nuk mund të pranojë deformim konsensual të thelbit të saj që është garantimi i një procesi rigoroz profesional e të pavarur nga partitë për përzgjedhjen e kandidateve për anëtarë të komisionit të vetingut të prokurorëve dhe gjykatësve.

Rama shkruan se pa vetingun, kjo reforme s’ka asnjë vlerë. “Kjo s’është vetëm bindja jonë, por një vijë e kuqe që nuk e ka pikturuar peneli im, po e ka vënë Brukseli dhe Uashingtoni. Dhe është e habitshme që Partia Demokratike vazhdon merret me gishtin, kur gishti tregon hënën! Sepse kështu i bie që jo vetëm unë, po edhe Brukseli e Uashingtoni, nuk e duan reformën”, shkruan Rama.

Me këtë propozim, shkruan ai, PD ka kaluar nga vendet e rezervuara te vendet e blinduara. Një ditë më parë Partia Demokratike kishte bërë publike një propozim për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të vetingut, propozim që duket se u refuzua sot nga mazhoranca nëpërmjet Kryeministrit Rama.

Megjithatë, pas reagimit të kryeministrit Rama mbi ofertën e re të opozitës, ka ardhur edhe kundërreagimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sërish nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Edi Ramës iu zgjidh gjuha, u kujtua t’u rikthehet cicërimave të tij. Deri tani ishte kundërshtues i vendeve të rezervuara të propozuara nga SHBA dhe BE, por sot nuk ka më asnjë alibi. Propozimi ynë nuk jep as më shumë e as më pak sesa çfarë parashikon Komisioni i Venecias. Partitë politike as nuk propozojnë dhe as verifikojnë”, thotë Basha në statusin e tij.

Duke futur në këtë mes edhe çështjen e fotos së kryeministrit me Presidentin amerikan, Barack Obama, por edhe grabitjen spektakolare në Rinas, për të cilat thotë se Rama “pas 6 ditë heshtjeje për krimin federal të pagesës së 80 mijë dollarëve ilegale për një foto, dhe pas një jave nga sulmi me armë e maska në pistën e Rinasit ku u grabiten miliona euro, nuk pipëtiu, nuk bëri zë”, Basha shton:

“Ti do patjetër një gozhde ku të varësh refuzimin e radhës. Tani që nuk e ke më as këtë, lëri alibitë dhe nëse do me të vërtetë reformë të pakapur në drejtësi prano kompromisin, që i hap rrugë miratimit të reformës në drejtësi”, mbyll Basha statusin e tij.

Top Channel