Autostrada Nish-Durrës, Serbia zgjidh disa probleme me një “gur”

06/07/2016 00:00

Serbia do të nisë vitin tjetër ndërtimin e autostradës nga Nishi në drejtim të Merdarës, për t’u lidhur më pas me autostradën në drejtim të Shqipërisë.

Ministri i Financave në qeverinë teknike të Serbisë, Dushan Vujoviç ka deklaruar se kjo është një mundësi jo vetëm për zhvillimin e zonave që preken nga ndërtimi i autostradës, por edhe për daljen e Serbisë në Adriatik nëpërmjet Portit të Durrësit.

“Pritet që kjo rrugë të ndërtohet në dy faza. Faza e parë është ajo e ndërtimit të të ashtuquajturit gjysmëprofil dhe më pas profili i plotë, që është shtylla kurrizore e zhvillimit dhe lidhja alternative me Adriatikun”, tha ministri serb.

Ai shtoi se ky projekt nuk është i njëjtë si projektet prioritare të korridoreve 10 dhe 11, të cilat tashmë janë zbatuar.

“Një nga këto përparësi shtesë është për të lidhur drejtpërdrejt Nishin, në rajonin e Serbisë Jugperëndimore, me Tiranën dhe Durrësin. Kjo është një mënyrë tjetër, e cila ngrihet mbi infrastrukturën ekzistuese dhe lidh rajonet që janë me rëndësi të madhe, që aktualisht nuk janë shumë të zhvilluara. Ato kanë domethënie të madhe për Serbinë dhe të gjitha vendet e tjera në rajon. Këtë herë, në njëfarë mënyre zgjidhen disa probleme me një gur”, tha Vujoviç për mediet serbe.

Projekti është miratuar nga Bashkimi Europian dhe pritet të financohet prej tij. BE-ja do të sigurojë rreth 150 milionë euro për infrastrukturën dhe energjinë në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe ndërtimin e rrugës nga Nishi në Prishtinë.

Top Channel