Hungaria, referendum kundër BE për kuotat e refugjatëve

05/07/2016 00:00

Presidenti hungarez Janos Ader caktoi 2 tetorin si datën e mbajtjes së një referendumi mbi politikat e Bashkimit Europian për sistemimin e emigrantëve brenda Bllokut.

Hungaria ka qenë një prej zërave më të fuqishëm kundër skemave të rishpërndarjes, por tani duket se do t’i mbetet popullit të vendosë nëse vendi do t’i pranojë ose jo kuotat e detyrueshme të rilokimit.

Qeveria e qendrës së djathte e kryeministrit Viktor Orban i kundërshton me forcë planet e ndarjes së 160.000 refugjatëve mes vendeve anëtare të Bllokut. Analistët mendojnë se Orban ka marrë zemër nga vota britanike për shkëputje pas një fushate, boshtin kryesor të së cilës e përbënte pikërisht emigracioni.

Në kulmin e krizës së emigrantëve në Europë, shumë prej tyre u përpoqën të hynin në disa shtete të BE-së përmes Hungarisë. Ekzekutivi i atjeshëm u tregua i ashpër dhe e frenoi fluksin njerëzor duke ngritur në muajin shtator një barrierë telash me gjemba përgjatë kufirit jugor me Serbinë.

Përpara njoftimit zyrtar të Presidencës, Orban deklaroi se një votë “jo” në këtë referendum do të ishte në favorin e pavarësisë së Hungarisë dhe një refuzim i planit të shpërndarjes së detyrueshme.

Zyra e Ader sqaroi se votuesve do t’iu kërkohet t’iu përgjigjen pyetjes: A dëshironi që Bashkimi Europian të urdhërojë sistemimin e qytetarëve jo-hungarezë në vend edhe pa pëlqimin e parlamentit?. Ka ende emigrantë që presin në radhë nëpër pikat e kontrollit në kufi me qëllimin të aplikojnë për azil në Hungari.

Top Channel