
Në draft deklaratën e Samitit te Parisit me 11 pika rikonfirmohet e ardhmja evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe vlerësohen përpjekjet që çdo shtet ka bërë deri më sot.
Në dokument nënvizohet ashtu si në samitin e Berlinit edhe atë të Vjenës, se bashkëpunimi rajonal është një kusht kyç për perspektivën evropiane. Si një hap i rëndësishëm për të shëruar plagët e së shkuarës, në Paris u nënshkrua marrëveshja për krijimin e një Zyre Rajonale të Bashkëpunimit të të Rinjve, që qendrën do e ketë në Tiranë.
Kryeministrat e të 6 vendeve shprehen bindjen se kjo nisme do të japë një kontribut të rëndësishëm.
Deklarata nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të rajonit, si zhvillimin e potencialit hidroenergjetik. Për sa i takon energjisë, të pranishmit u angazhuan për plan të tregut të përbashkët, që do të sjellë lehtësi në shkëmbimin e burimeve dhe do të sigurojë përdorimin më të mirë të sistemeve ekzistuese, për të lidhur tregun rajonal me atë të BE-së. Ne dokument nënvizohet rëndësia e përfundimit në fund të këtij vitit të Protokollit shtesë mbi Tregtinë në Shërbime.
Draft deklarata thekson se prioritet do t’i jepet të rinjve. Perspektiva e gjeneratës së re shikohet se rruga që do të sigurojë stabilitetin e Ballkanit. Në këtë kuadër është hedhur ideja e shkëmbimit të nëpunësve të rinj civil në rajon.
U mirëprit ftesa e Francës për të mbajtur konferencën e ardhshme në arsimin dhe aftësimin profesional.
Dokumenti nënvizon sfidat aktuale si migrimin dhe luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit. Palët u angazhuan që të ketë një rritje të bashkëpunimit midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit për shkëmbimin e informacioneve, koordinimit në operacionet e përbashkëta për të luftuar rrjetet e kontrabandës dhe krimin e organizuar, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet policisë kufitare forcat, si edhe bashkëpunimin me Europolin.
Top Channel