Debatet në komision, PD dhe LSI: U cënua siguria; PS: Përgjegjës banka dhe TIA

04/07/2016 00:00

Puna në Komisionin parlamentar të Sigurisë nisi me kërkesën jashtë radhe të deputetit të Lëvizjes Socialiste përIintegrim, Luan Rama, për të marrë infomarcion nga autoritetet mbi grabitjen e Rinasit. Sipas tij, siguria kombëtare është cënuar rëndë.

“Të na informojnë autoritetet e Ministrisë së Brendshme, se cilat kanë qenë masat shtesë të sigurisë që janë marrë një ditë para ngjarjes, e pse këto masa shtesë të sigurisë favorizuan këtë grup të armatosur të pushtonte Aeroportin e Rinasit”, deklaroi Luan Rama.

Demokratët shkuan më tej, duke denoncuar drejtpërdrejt Ministrinë e Brendshme si bashkëpunëtore në krim. Ish-ministri Flamur Noka tha se, grabitësit kishin informacion mbi rezultatet e testeve të sigurisë.

“Pikërisht në të vetmin vend, ku vetëm Policia e Rinasit e dinte, ku vetëm shefi i komisariatit e dinte që ishte pika e dobët, aty u shpërthye në kulmin e drekës ndërkohë që shefi ishte në gjumë. Unë disponoj këtu fotografinë me orë dhe minuta mbi atë moment”, tha deputeti demokrat Noka.

Por për socialistin Pjerin Ndreu, përgjegjësia nis me bankën dhe koncesionarin. Sipas tij, deklaratat e bëra nga demokratët mund ta fusin në kolaps hetimin.

“Zinxhiri i institucioneve fillon me bankën, me shoqërinë që transportoi vlerën monetare, me atë që e ruante rrethimin e jashtëm, me koncesionarin… ndërsa policia vjen e fundit. Që ta lidhësh drejtpërdrejt ngjarjen me paaftësi apo me implikime, është vetëm tentativë për ta futur në kolaps zbulimin e krimeve”, tha deputeti Pjerin Ndreu.

Komisioni i Sigurisë ra dakord për një seancë informuese mbi ngjarjen me strukturat e policisë javën e ardhshme.

Top Channel