Lëvizja pa viza, të rinjtë e Kosovë janë pesimistë për këtë vit

03/07/2016 00:00

Kushti i fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën, i vënë nga Komisioni Europian, mbetet ratifikimi nga Kuvendi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Mënyra sesi është menaxhuar kjo çështje deri më tani nga institucionet përgjegjëse të Kosovës, ka krijuar dilema te të rinjtë, nëse liberalizimi i vizave do të bëhet gjatë këtij viti.

Në rubrikën e përjavshme për të rinjtë, “VOX”, në “Radion Evropa e Lirë”, disa nga të rinjtë e anketuar japin mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje, ndonëse shumica prej tyre janë pesimistë se kushti i fundit për liberalizim vizash do të plotësohet.

Pranvera Morina, 22- vjeçare që studion në Universitetin e Prishtinës, pret që zbatimi i liberalizimit të fillojë nga ky vit.

“Unë mendoj se po, do të arrihet liberalizimi i vizave. Mendoj se qeveria po punon, pasi është bërë edhe rekomandimi. Besoj se së shpejti do të kemi edhe liberalizimin”, thotë Pranvera.

Por, jo të gjithë presin që liberalizimi të arrihet këtë vit. Arlinda Shala mendon se liberalizimi do të bëhet, por mund të ketë shtyrje për një kohë të pacaktuar.

“Liberalizimi do të bëhet gjithsesi, por se kur, kjo mbetet me pikëpyetje. Unë mendoj se do të shtyhet edhe një vit, apo një vit e gjysmë. Sa i përket demarkacionit, që është i vetmi kusht që duhet të plotësohet, qeveria nuk e di a po punon në këtë drejtim. Ndoshta fshehurazi po, por jo ashtu siç dëshiron populli”, shprehet Arlinda.

Ndryshe nga të rinjtë, ministri i Integrimit Europian në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku ka thënë disa herë se pritjet e institucioneve dhe qytetarëve të vendit janë që në vitin 2016 të udhëtojmë pa viza në shtetet e zonës “Schengen”.

Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë me optimizmin apo pritje të pabazuara, por ka të bëjë me bindjen se është arritur të përmbushen kushtet e kërkuara dhe se do të vlerësohet pozitivisht puna serioze nga ana e institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së.

Top Channel