Policia kosovare patrullon në Shqipëri gjatë sezonit

02/07/2016 00:00

Gjatë muajve korrik dhe gusht Policia e Kosovës dhe ajo shqiptare do të kryejnë patrullime të përbashkëta me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Në konferencën e përbashkët për media që u mbajt në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, drejtori i policisë së Prizrenit Nexhmi Krasniqi këshilloi udhëtarët të mos krijojnë problemeve e të mos kryejnë shkelje në territorin e Shqipërisë.

“Kontrollet e përbashkëta janë për sigurinë e jetëve të njerëzve, për sigurinë e pronave dhe unë nuk dëshiroj që mërgimtarët tanë të krijojnë tollovi, të bëjnë shkelje në territorin e Shqipërisë dhe të ketë aksidente të trafikut”, tha Krasniqi.

Zyrtarët e parë të Policisë së Kosovës u dërguan në Shqipëri ku edhe do të bëhet organizimi i shërbimeve të përbashkëta të policisë rrugore.

Shef i seksionit te kontrollit rrugor në Shqipëri, Sokol Zefi tha se e mirëpresin bashkëpunimin për këtë sezon me policinë kosovare dhe se urojnë që ai të jetë i suksesshëm.

“Në emër të policisë shqiptare i urojmë mirëseardhje forcave tuaja në mbështetjen tonë. Urojmë që ky bashkëpunim të jetë i suksesshëm dhe vazhdojmë në ata parametra që kemi qenë deri tani dhe nuk asnjë ndryshim deri tani”, tha Zefi.

Gjatë takimit u vendos që të krijohen kushte lehtësuese për qytetarët e të dyja vendeve për përdorimin e pikave kufitare dhe atyre turistike.

Top Channel