Kongresi i PBDNJ, Idrizi kritikon Ramën e Palokën; Meta uron Dulen

02/07/2016 00:00

Pas mbajtjes së Kongresit të PBDNJ ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Rama e nënkryetari i PD, Paloka ka reaguar me anë të një statusi në “Facebook” edhe kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi.

“Jam i zhgënjyer me “Sehirxhinjt” Rama e Paloka në kongresin e PBDNJ  që kur janë me ne “qajnë” për Çështjen Çame e PDIU, por se kanë për gjë të dëgjojnë arrogancën e paturpësinë e ndërhyrjes në punët e brendshme të qeverisë greke: Athina zyrtare me arrogancën e atij që e ka xhepin plot me para borxh na tregon se kush bëhet nënkryetar i parlamentit të Shqipërisë; me kë duhet të bëjnë koalicion partitë shqiptare; për kishën Autoqefale Shqiptare; për Himarën për banderolat në futboll e për çdo gjë që Athina zyrtare mendon se duhet t’i imponojë një vendi vasal”, shkruan në “Facebook” Idrizi.

Ndërsa në fund, kryetari i PDIU shkruan: “Qeverisë greke për shkak të këtij ambienti me gjermanë i mbetet që të tërheqë nga skena politike shqiptare PPDNJ, që dhe kështu po tretet përditë e është bërë kockë e lëkurë e kockat e baron portokallit se ngjallin dot me!”

Meta: PBDNJ, rol konstruktiv në jetën politike

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u ka shprehur urimet e tij anëtarëve e mbështetësve të PBDNJ-së, si dhe kryetarit të kësaj partie Vangjel Dule, për mbajtjen e kongresit.

Përmes një deklarate për shtyp të lëshuar nga zyra e tij, Meta ka vlerësuar “rolin e moderuar dhe konstruktiv” që PBDNJ luan në politikën shqiptare, duke e cilësuar atë një faktor të rëndësishëm në të gjitha zhvillimet politike në vend.

“Zoti Meta vlerëson misionin e PBDNJ-së përgjatë viteve si një përfaqësuese dinjitoze e minoritetit grek dhe si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, vlera për të cilat rolit i saj ka qenë i spikatur dhe i një rëndësie të veçantë”, thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit të Kuvendit.

Në vlerësimin e Metës, “PBDNJ gjithmonë ka demonstruar një politikë racionale, konstruktive dhe parimore, duke ndihmuar dhe promovuar dialogun dhe jo konfrontimin politik”.

“Një rol të tillë ajo vazhdon ta luajë edhe sot dhe ky pozicionim pozitiv i PBDNJ-së është për t’u vlerësuar”, citohet më tej kreu i Kuvendit në deklaratë.

Top Channel