Kosovë, Hoti: Buxheti, në rritje prej performancës së mirë

01/07/2016 00:00

Qeveria e Kosovës ka miratuar rishikimin e buxhetit të Kosovës për gjashtëmujorin e parë, pasi u tha se janë krijuar të ardhura të reja prej 65.2 milionë eurosh, duke e kaluar kufirin e parashikuar në fillim të vitit.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se buxheti i rishikuar është në përputhje me FMN-në dhe se është një ndër planifikimet më të mira që ka ndodhur ndonjëherë.

Mirëpo me këtë rishikim nuk u pajtua ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar. Ai tha se disa shkurtime që kanë ndodhur në dikasterin e udhëhequr prej tij do të shkaktojnë probleme financiare në fund të vitit.

Kurse ministri Hoti tha se kjo çështje do të merret në konsideratë dhe se do të mund ta ndihmojë MAP-in me fonde kurdo që të mbetet pa financa.

Edhe ministri i Integrimit Europiane, Bekim Çollaku e akuzoi Hotin se i ka marrë 50 mijë euro nga dikasteri që ai e drejton pa paralajmërim. Por ministri Hoti u kundërpërgjigj duke thënë se, kabineti qeveritar ishte njoftuar qysh në fillim të vitit për këtë tërheqje që do të bëhej me rishikimin e buxhetit.

Qeveria miratoi edhe ndarjen e 300 mijë eurove për bursa, për studentët e Kosovës që studiojnë në SHBA, në bazë të një marrëveshjeje mes MASHT-it dhe Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Po ashtu u miratua edhe marrëveshja mes Kosovës dhe Francës për ndarjen e 66 milionë eurove për trajtimin e ujërave të zeza.

Top Channel