“Presidenti nga populli”, Ben Blushi prezanton peticionin “online”

30/06/2016 00:00

Kur Partia Demokratike zgjodhi presidentin në vitin 2007 me trafikimin e disa votave të socialistëve, Ben Blushi dha dorëheqjen si kryetar i grupit më të madh opozitar. Por tani pas 9 vitesh, i distancuar edhe nga partia e vet, Ben Blushi po përpiqet të ushtrojë presion publik mbi Parlamentin, që të pranojë ndryshimin kushtetues për zgjedhjen e presidentit nga populli.

Për t’ia arritur kësaj, Ben Blushi ka hapur një peticion “online” në faqen më të njohur për këtë qëllim, “Change.org”, që ashtu siç ka edhe emrin “Ndryshimi”, synon t’u japë zë njerëzve në të gjithë botën për nismat e tyre.

Change.org, President nga populli. Kushdo që ka një kompjuter në shtëpi apo një telefon celular me internet, mund të hyjë këtu dhe të votojë për t’u nënshkruar si një njeri, që i kërkon Parlamentit të tij të ndryshojë formulën e presidentit”, tha Blushi nga foltorja e Kuvendit.

Që nga e hëna, kur nisma për zgjedhjen e presidentit nga populli u bë publike, deputetët nismëtarë kanë mbetur të njëjtë 10, nga 28 siç kërkon Kushtetuta, por Ben Blushi shpreson që fushata me firmat virtuale të qytetarëve të jetë e suksesshme.

“Sigurisht ky peticion nuk është detyrues, por 50, 60 apo shpresoj 100 mijë firma shqiptarësh mund t’iu bindin se vendimet e këtij Parlamenti nuk janë gjithmonë në dobi të tyre. E nëse kjo praktikë vazhdon dhe ky amendament nuk miratohet, se çfarë do të ndodhë vitin e ardhshëm kur të jenë zgjedhjet për presidentin, kjo dihet. Do të zgjidhet një i paaftë dhe një mediokër më shumë në postin e presidentit me 71 vota nga ata që kanë shumicën në këtë Kuvend”, tha Blushi.

Top Channel