Liberia merr “frerët” e sigurisë kombëtare nga OKB pas 13 vitesh

30/06/2016 00:00

Liberia ka marrë më në fund përgjegjësinë për sigurinë kombëtare të vendit, për herë të parë që prej fundit të luftës civile në vendin afrikanoperëndimor 13 vite më parë. Një lëvizje kjo që sigurisht është mirëpritur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Ka qenë pikërisht forca paqëruajtëse e OKB-së, ajo që ka transferuar përgjegjësitë mbi sigurinë këtë të enjte, ndërsa Presidentja libiane Ellen Johnson Sirleaf do ta shënojë këtë ngjarje përmes një ceremonie gjatë së premtes. Megjithatë, një forcë e kufizuar e OKB-së, e përbërë nga 1.200 trupa, do të mbetet gjithsesi në vend me mision mbështetës.

Ban Ki-moon lavdëroi vendosmërinë e Libisë për “të punuar drejt një paqeje të qëndrueshme”, tha zëdhënësi i tij.

Forca paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara u dërgua në vitin 2003 për të ndihmuar në stabilizimin e Liberisë pas një lufte civile 4-vjeçare. Ai konflikt por edhe një tjetër luftë e brendshme e pak kohëve më parë kishin shkaktuar mbi 250 mijë viktima në vendin afrikan.

Gjatë shpërthimit të virusit Ebola në vitin 2014, ambasadori i OKB-së në Liberi e quajti praninë e fuqishme të ndërkombëtarëve në vend si “një faktor tepër stabilizues”.

Top Channel