Kosovë, shqetësues niveli i trafikut të qenieve njerëzore

30/06/2016 00:00

Niveli i luftimit të trafikimit të qenieve njerëzore, edhe këtë vit ka dalë me rezultate jo të kënaqshme në Kosovë. Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur shqetësime serioze për Kosovën sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore.

Ndër shqetësimet e ngritura janë numri i vogël i kallëzimeve penale gjatë vitit të kaluar dhe numri edhe më i vogël i dënimeve.

Ministri i Brendshëm Skënder Hyseni, gjatë prezantimit të raportit të DASH për trafikimin e qenieve njerëzore tha se, rekomandimet nga ky departament konsistojnë në forcimin e hetimeve, si dhe ndjekja penale e zyrtarëve të përfshirë në këtë dukuri.

“Rekomandimet konsistojnë në radhë të parë dhe mbi të gjitha në forcimin e hetimeve në rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, ndjekja dhe dënimi i trafikantëve, duke përfshirë këtu edhe zyrtarë në këtë dukuri makabre”, ka thënë Hyseni.

Ai ka përmendur rastin e dy zyrtarëve, ndaj të cilëve ka pasur procedurë hetimore, por për të cilët nuk dihet përfundimi i çështjes.

“Sido që të jetë, e kemi për detyrim që edhe me veprime thjesht etike të bëjmë me dije se në institucione nuk kanë vend njerëz, që në çfarëdo mënyre janë përfolur si të përfshirë në këtë dukuri makabre”, ka thënë Hyseni.

Ai ka deklaruar gjithashtu se nga rekomandimet është paraqitur nevoja për trajnime të avancuara për gjyqtarët, prokurorët dhe zbatues të tjerë të ligjit. Ai ka shtuar se duhet të rriten përpjekjet për t’i identifikuar fëmijët, që detyrohet të bëhen lypsarë rrugësh, por mbi të gjitha për t’i identifikuar ata që i detyrojnë fëmijët të kthehen në lypsarë.

Rreth 20 milionë njerëz në mbarë botën janë trafikuar në periudha të ndryshme kohore.

Top Channel