Basha: Nuk mund të pranojmë një drejtësi “Venecia minus”

29/06/2016 14:10

Pas takimit me kryetarin e Komisionit të Jahstëm të Bundestagut, Lulzim Basha ka përdorur një gjuhë më të moderuar, por nuk ka ndryshuar kërkesën e vetme të opozitës, për të cilën ende nuk ka kompromis për reformën në drjetësi.

“Nuk kemi imponuar asnjë kërkesë jashtë asaj çfarë rekomandon Opinioni Final i Komisionit të Venecias, por sigurisht nuk mund të pranojmë një drejtësi “Venecia minus”. Ndaj sot i bëj një thirrje kundërshtarëve tanë politikë, duke bërë fare të qartë se opozita nuk është tërhequr, nuk tërhiqet e nuk ka ndërmend të tërhiqet nga zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, që të ndalim luftën verbale, të ndalim insinuatat, t’i japim shqiptarëve një qartësi që e meritojnë. Unë, Partia Demokratike, opozita është për zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias”, ka deklaruar Basha.

Sipas Bashës, kjo do të thotë që në të katërt institucionet, që zgjidhen nga Parlamenti, përfshirë edhe ato që bëjnë vetingun, opozita të jetë e përfaqësuar.

“Shqiptarët nuk meritojnë akuza, nuk meritojnë provokime, nuk meritojnë ikje nga detyrimi që ka gdhendur Opinioni i i Venecias si për mazhorancën ashtu edhe për opozitën, por në veçanti për mazhorancën që ka përgjegjësi për këtë reformë duke qenë mazhorancë. Ndaj në vend që t’i ikim rekomandimit 88, i bëj një thirrje dhe një ftesë mazhorancës të mos kapet pas alibive, të mos kapet pas fijeve të kashtës. Asgjë nuk e zbeh, as nuk e tjetërson detyrimin që ka për zbatimin e plotë dhe total të rekomandimit 88”, ka nënvizuar Basha.

Partia Demokratike thotë se vetëm duke zbatuar të plotë rekomandimin e Venecias mund të ndërtohet një sistem drejtësie i pakapur politikisht. 

Top Channel