PE rezolutë për Britaninë: Aktivizo sa më parë nenin 50 të Lisbonës

28/06/2016 00:00

Parlamenti Europian miratoi me shumicë dërrmuesve rezolutën që i kërkon Britanisë së Madhe që të thërrasë sa më shpejt aktivizimin e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, aktivizim që do t’u hapte menjëherë rrugë procedurave për daljen e vendit nga Bashkimi Europian.

Rezoluta u miratua me 395 deputetë pro, 200 kundër dhe 71 abstenime dhe sipas PE-së aktivizimi i nenit 50-të sa më shpejt do të shmangte pasiguritë që shoqërojnë këtë proces.

Seanca e jashtëzakonshme e PE-së ka qenë e ndezur, ku protagonistë kryesorë janë bërë Presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker dhe përfaqësuesi britanik i UKIP, një ndër aktorët kryesorë të fushatës pro daljes, Nigel Farage. Në një moment të caktuar, Farage u akuzua se po përdor “propagandë naziste”.

Juncker nuk kurseu thumbimet për Nigel Farage. Ky i fundit duartrokiti në momentin kur Juncker tha se duhet të respektohet demokracia britanike dhe vendimi i referendumit.

“Kjo është hera e fundit që duartroket në këtë sallë”, tha Juncker duke iu drejtuar Farage.

“Nuk e kuptoj çfarë bën ti këtu?! Ti ishe pro daljes dhe njerëzit votuan në favorin tënd. Çfarë bën këtu?”, vijoi ai.

Presidenti i Komisionit Europian kërkoi nga Britania e Madhe që të sqarojë sa më parë pozicionin e vet në lidhje me daljen nga Bashkimi Europian.

“Sa më shpejt që të sqarohet kjo situatë, aq më mirë është. Sigurisht që mua më vjen keq për votën e britanikëve. Jam një europian, s’jam robot, as burokrat i ngurtë dhe as teknokrat”, deklaroi ai.

Juncker tha se ja ka ndaluar secilit prej komisionerëve komunikimin me qeverinë britanike përpara se ajo të zyrtarizojë qëllimet e tërheqjes nga Bashkimi Europian.

Deklarata e Juncker u bë në pritje të takimeve të David Cameron me udhëheqësit e vendeve të BE-së, i pari i këtij lloji pas referendumit.

Cameron takohet si kryeministër i dorëhequr tashmë. Ai do të largohet nga detyra që mban në muajin tetor dhe thotë se është pasuesi i tij ai që duhet t’i referohet metodës formale të shkëputjes, artikullit 50 të Traktatit të Lisbonës.

Ndërkohë, gjatë një fjalimi në Parlamentin gjerman, Kancelarja Angela Merkel u shpreh se BE-ja është mjaftueshëm e fuqishme për të mbijetuar edhe pa Britaninë.

 

Top Channel