Bulevardi i Ri, reagon ish/nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo

20/06/2016 00:00

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me Bulevardin e Ri përmes ish-nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës në kohën kur kjo bashki drejtohej nga Lulzim Basha, Enno Bozdo.

“Bulevardi i Ri, rehabilitimi i Lumit të Tiranës e ndërtimi i Terminalit Multimodal janë fryt i vizionit të zhvillimit të Tiranës gjatë administratës “Basha”. Me gjithë përpjekjet e Edi Rames për t’i bllokuar e zvarritur, e ardhmja Europiane e Tiranes kalon nga zbatimi i këtyre projekteve te konceptuara dhe financuara nen drejtimin e Bashkise nga Lulzim Basha sepse kjo është rrruga për t’i kthyer kryeqytetit një zhvillim të qëndrueshëm larg modelit korruptiv dhe shpunësues që ofroi Edi Rama e po ofron sot Erion Veliaj”, tha Bozdo. 

“Edi Rama përgjegjësi kryesor për bllokimin për dy vite të ndërtimit të Bulevardit të Ri, rehabilitimit të Lumit të Tiranës u krekos sot si gjeli majë plehut me punën e nisur nga  Lulzim Basha. Pas bllokimit për më shumë se dy vite të projektit të Bulevardit dhe të Lumit të Tiranës përveç interesave politike duket se po më të rëndësishme kanë qenë interesat e betonit të Sadri Abazit që u faktuan me reduktimin e sipërfaqes së gjelbër e cila ishte parashikuar rreth 300 mijë metër katrorë  e zëvëndësimit me kulla betoni”, shtoi më tej ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

“Meqenëse bilanci është vetëm beton, taksa të larta, rritje të çmimit të biletës së autobusëve, mungesë shërbimi, Rama dhe masha e tij në Bashki ka zgjedhur të mburret me punët e Lulzim Bashës. E filloi me investimin e nisur nga administrata “Basha” me fonde të BE-së për ndërtimin e një shkolle dhe infrastrukturës rrugore në njësitë administrative 4 dhe 8, e vazhdoi me rikonstruksione Lumit të Tiranës duke e shitur si investim të tij edhe pse kishte përfunduar 60 për qind e punimeve ku mori detyrën e po e vazhdon me Bulevardin e Ri”, thuhet në reagim.

“Në fakt në tre vjet as Edi Rama nuk ka asnjë bilanc për të treguar përveç palmave, kullës së Korçës, investime tërësisht korruptive  dhe 2.2 miliard euro të vjedhura nën qeverisjen e tij. Shqiptaret nuk e hanë më sapunin për djathë. Bulevardi i Ri ishte vizion i Lulzim Bashës. Punimet për Bulevardin e Ri të Tiranës nisën në shtator të vitit  2013 pas përfundimit të projektit nga studioja prestigjioze ndërkombëtare “Grimshaë Architects” dhe sigurimit të fondit të investimit nga Fondi për Zhvillim i Abu – Dhabit”, deklaron Bozdo.

“Projekti u bllokua me pas me urdhër të Edi Ramës. Për këtë bllokim është kallëzuar penalisht ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani, dosje të cilën prokuroria vazhdon ta mbajë në sirtar dhe është dënuar ish-kreu i INUK. Sot, Edi Rama dhe Erion Veliaj duhej fillimisht t’i kërkojnë ndjesë qytetarëve të Tiranës për bllokimin me dy vjet të këtij projekti dhe mijëra vendeve të punës të lidhura me të.”, mbyll reagimin e vet përfaqësuesi i PD-së.

Top Channel