Itali, Roma pritet të zgjedhë të parën kryebashkiake. Goditje për Renzin?

19/06/2016 00:00

Roma pritet të zgjedhë kryebashkiaken e parë femër në historinë e saj, në balotazhin e vlefshëm për zgjedhjet lokale të vendit.

Virginia Raggi, e cila vjen nga radhët e “Lëvizjes 5 Yjet”, shihet si favoritja përballë kandidatit të Partisë Demokratike të qendrës së majtë, Roberto Giachetti. Ndaj dhe fitorja e saj do të përbënte një goditje të rëndë për kryeministrin italian, Matteo Renzi.

PD-ja e së majtës italiane mund të humbasë gjithashtu edhe “kryeqytetin financiar” të Italisë, Milanon, ndërkohë që beteja të vështira e presin edhe në Torino dhe Bolonja.

Avokatja 37-vjeçare Raggi, fitoi 35% të votave në raundin e parë zgjedhor të zhvilluar dy javë më parë, duke e lënë Giachettin me vetëm 24% të votave. Një arritje që, nëse konfirmohet edhe pas balotazhit, jo vetëm që do të siguronte fitoren në Romë, por do t’i jepte “5 Yjeve” antiglobalistë një platformë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2018.

Kryebashkiaku i ardhshëm i Romës do të gjejë një qytet të mbytur nga borxhet, që janë rreth 13 miliardë euro, apo sa dyfishi i buxhetit vjetor të qytetit. Romanët janë irrituar prej kohësh prej gropave nëpër rrugë, grumbujve të mbeturinave, si dhe mangësitë serioze të transportit publik dhe strehimit.

Ish-kryebashkiaku i Romës, Ignazio Marino i PD-së dha dorëheqjen në tetor të vitit të kaluar për shkak të skandalit të shpenzimeve. Që prej atëherë kryeqyteti italian ka mbetur pa drejtues. Një skandal edhe më i madh, ku përfshihej sipas pretendimeve influenca e mafies italiane në Bashkinë e Romës, kanë bërë që të shtohet ndikimi i “Lëvizjes 5 Yjet”. E themeluar nga komediani Beppe Grillo në vitin 2009, kjo lëvizje antiglobaliste ka bërë fushatë kundër korrupsionit që ka pllakosur politikën italiane prej vitesh.

E nëse arrin sukses në këto zgjedhje lokale, “5 Yjet” mund ta vendosin gjithashtu veten e tyre në postin e partisë kryesore opozitare në vend përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Top Channel