Diplomatët amerikanë: Të sulmojmë regjimin e Asadit

17/06/2016 09:05

Dhjetëra zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit nënshkruan një memorandum të brendshëm kundër politikës amerikanë në Siri dhe gjithashtu duke kërkuar sulme ushtarake ndaj qeverisë së presidentit sirian Bashar al Asad. Sipas tyre, qasja aktuale amerikane ndaj konfliktit në Siri shkon kundër opozitës vendase dhe ndihmon Asadin të qëndrojë në pushtet.

Memorandumi u firmos nga 51 zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë që këshillojnë për çështjet e Sirisë. Nuk është e pazakontë që zyrtarë amerikanë të çojnë letra kundërshtimi përmes kanalave të Departamentit të Shtetit, por është e rrallë që një numër kaq i madh diplomatësh të kundërshtojnë pocizionin e Shtëpisë së Bardhë. Mediat amerikane shkruajnë se një zëdhënës i Departamentit të Shtetit pranoi marrjen e memorandumit, por nuk komentoi mbi përmbajtjen e tij.

Por, sipas mediave, zyrtarë të ndryshëm thanë se letra u dërgua pasi “status quo“-ja është e papranueshme. Dokumenti kërkon që qeveria e Asadit të kërcënohet ushtarakisht, përndryshe Damasku nuk ka pse të ndihet nën presion për të negociuar me rebelët. Sipas nënshkruesve të letrës, dështimi i procesit të paqes të iniciuar nga SHBA-ja dhe Rusia është në përfitim të regjimit.

Një qëndrim të ngjashëm shprehu më herët edhe sekretari i shtetit Xhon Kerri, i cili tha se SHBA nuk do të lejojë që armëpushimi të shfrytëzohet nga një palë në veçanti për përfitimet e saj.

Kerri i ka kërkuar administrës amerikane reagim më të ashpër ndaj regjimit të Asadit që të detyrohet të negociojë dhe diplomatët, pas memorandumit, besojnë se ai ndan shqetësimet e tyre. Por, pavarësisht kësaj, zor se administrata Obama, e cila ka si prioritet ka sulmet ndaj ISIS-it, do të ndryshojë rrugë.

Presidenti Obama nuk dëshiron të përfshihet në një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme, sidomos pas rezultateve kaotike të ndërhyrjeve amerikane në Irak, Afganistan dhe Libi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA