Meta: Sigurova Bashën për proces legjitim parlamentar në miratimin e reformës në drejtësi

12/06/2016 14:05

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, doli në një deklaratë për shtyp pas takimit me Lulzim Bashën dhe theksoi se e siguroi kreun e Partisë Demokratike “për përkushtimin maksimal për të garantuar një proces parlamentar legjitim në miratimin e paketës për reformën në drejtësi”.

“I shpreha kënaqësinë dhe vlerësimin për angazhimin e opozitës në procesin e hartimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mbështetjes që i ka dhënë reformës në drejtësi. I kam kërkuar mirëkuptim për caktimin e kalendarit parlamentar për miratimin sa më të shpejtë të saj”, u shpreh Meta, i cili shtoi se edhe Basha i ka shprehur angazhim për për miratimin sa më parë të reformës.

“Zoti Basha më njohu me atë që na ndan: çështjen e formulës së zgjedhjeve të institucioneve të reja. Sipas tyre, duhet bërë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, deklaroi Meta.

“Me vullnet të mirë i kemi të gjitha mundësitë që të ecim me procedurat parlamentare”, theksoi më tej Ilir Meta.

Top Channel