Reforma, Rama: Ju shtrijmë dorën, por do ta votojmë edhe pa ju

09/06/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, ka akuzuar opozitën se nuk e ka dashur reformën në drejtësi, por njëkohësisht ka theksuar se ka ende kohë për ta votuar bashkarisht, edhe pse ka paralajmëruar se në fund ajo do të miratohet edhe pa të.

“Falenderoj partnerët ndërkombëtarë për përpjekjet e bëra për reformën në drejtësi. Të vetmit që nuk deshën të përfshihen seriozisht në këtë proces ishte opozita. Thelbi i suksesit, me ju ose pa ju, do të jetë shembja e sistemit të kalbur të drejtësisë. Ne jemi gati t’ju shtrijmë dorën, por me ju ose pa ju reforma do të bëhet. Ne jemi të gatshëm që çmimin e reformës ta bëjmë të përballueshëm dhe reformën ta votojmë”, ka thënë Rama.

Sipas tij, kjo reformë është më e nevojshme se kurrë, pasi, siç tha ai, po shihet dita ditës gjendja skandaloze në gjykata, duke iu referuar këtu gjyqtarit Arian Aliaj, për të cilin qeveria pretendon se u zgjodh pa short për rastin e drejtorit të policisë, Haki Çako.

“Ai gjyqtar është killer me pagesë i drejtësisë, ose me flamur partie, që u përjashtua nga këshilli i lartë i kënetës. Ju i keni varur shpresat tek aleanca me këta horra, që kanë dhënë imazhin se në Shqipëri vetëm drejtësi nuk ka. Ka edhe gjyqtarë e prokurorë të ndershëm, por se kush janë nuk e vendosni as ju, as unë, por radiografia e sistemit, që do të bëhet përmes reformës”, ka vijuar Rama.

Në fund ai ka prekur edhe rastin e përgjimeve, duke iu përgjigjur pretendimeve të opozitës. “Nëse mendoni se pala italiane është përfshirë në një skemë përgjimi për të dëgjuar cfarë i thotë Saliu Lulit në telefon, apo se si ankohet Jozefina për Lulin, atëherë i keni dhënë vetes një përgjegjësi që nuk e keni”, ka shtuar Rama.

Top Channel