Historianët flasin në Top Story: Me Greqinë, sjellje e re

09/06/2016 00:00

Në pjesën e tretë, Top Story i kësaj të enjteje solli mendimin e analistëve, historianëve dhe akademikëve mbi vizitën e Kotzias në Tiranë, marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe problematikat e kësaj fqinjësie.

I pari që foli ishte Pëllumb Xhufi. Ai vlerësoi pozitiv qëndrimin e mbajtur nga pala shqiptare, që kërkon zgjidhjen e problemeve të së shkuarës.

“Pala greke këmbëngul, edhe këtë herë këmbënguli që të shohim nga e ardhmja, të shohim perspektivën e zhvillimit, pala shqiptare bëri mirë që këmbënguli që për të shkuar përpara duhet të zgjidhim disa probleme që historia ka lënë mbrapa. Më duket u ra dakort që këto probleme me rëndësi për ne, si ligji i luftës, çështja çame apo kufiri detar dhe probleme të tjera, këto nisën të diskutohen. Ky është një fakt pozitiv dhe i pashembullt në marrëdhëniet tona. Ka një zhvillim pozitiv dhe i duhet njohur merita edhe klasës së re politike që drejton sot Greqinë, e cila është më e balancuar me konceptet”, tha Xhufi.

Për analistin Mentor Nazarko meritë në këto zhvillime në marrëdhëniet me Greqinë ka edhe qeveria shqiptare.

“Kemi ardhjen në pushtet të një force politike dhe individë, si Rama dhe Bushati që e kanë imponuar në sjelljen diplomatike të Shqipërisë jo vetëm kundër Greqisë, por edhe ndaj fqinjëve të tjerë, një treshe konceptesh; reciprocitetin, dinjitetin dhe barazinë. Shqipëria ka nisur të riafirmojë fuqishëm çështjen çame duke e futur në axhendë një temë që kishte dalë prej saj ashtu siç ka futur edhe ligjin e luftës. Pala greke erdhi me një axhendë maksimaliste, që ishte marrëveshja e detit dhe për të jetësuar marrëveshjen për varrezat e ushtarëve grekë”, u shpreh Nazarko.

Historiani Ksenofon Krisafi ndan marrëdhëniet me Greqinë në dy segmente. Ai kërkon nga të dyja qeveritë që të shkëputen nga e kaluara.

“Kam ndarë këtë marrëdhënie në dy segmente, një që ka të bëjë me marrëdhëniet mes politikës dhe mes dy popujve. Popujt e kanë gjetur gjuhën, por i ka ngatërruar gjithmonë politika që ka toksikuar gjithmonë këto raporte. Qeveritë në të dy vendet do të duhet që të braktisin dogmat e së kaluarës, të largohen këto sloganet nacionaliste që kanë intoksikuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Shqiptarët dhe grekët janë dy popujt me të lashtë të Ballkanit dhe që kanë bërë historinë e këtij rajoni”, thotë ai.

Top Channel