Reforma e integrimi, Bushati: Bllokimi, lajm i keq për negociatat

08/06/2016 00:00

Për ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, tashmë janë dy fronte të cilat përballën për Reformën në Drejtësi.

“Sot për sot ka një debat mes aspiratës popullore për ndryshim, që besoj se reflektohet shumë qartë edhe në punën e madhe që është bërë nga ekspertët vendas dhe ata ndërkombëtarë, dhe një lloj fronti rezistence, që përgjithësisht ushqehet nga mendësi koorporatiste në sistemin e drejtësisë”, tha Bushati.

Kreu i diplomacisë shqiptare ritheksoi edhe njëherë nevojën e miratimit të kësaj reforme, për rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.

“Një dështim i reformës në drejtësi, natyrisht nuk do të ishte aspak një ogur i mirë për atë çfarë ne presim këtë vit, rekomandimin e Komisionit Europian për të filluar bisedimet për anëtarësim”, tha Bushati.

Këto deklarata, ministri Bushati i bëri gjatë takimit me homologun e tij polak, Vitold Vaszhikovski, ku u diskutuan një sërë çështjesh, që nga ato të sigurisë, e deri te mundësitë e shumta të vendit tonë për të tërhequr turistët polakë.

Top Channel