Edmond Spaho: Asnjë investitor i huaj në 3 vite, klima e biznesit e pafavorshme

08/06/2016 00:00

Nënkryetarit i Partisë Demokratike, Edmond Spaho doli mesditën e së mërkurës në një deklaratë për mediat ku u shpreh se Kryeministri sulmoi me tone kërcënuese bizneset që mund të kenë ankesa, por faktet flasin ndryshe.

“Dhoma Amerikane e Tregtisë është shprehur se besimi ka rënë me 4.83 pikë, dhe 65 përqind e të anketuarve janë shprehur se klima për biznes është e pafavorshme ose shumë e pafavorshme. Më parë Dhoma Gjermane e Tregtisë denoncoi korrupsionin e taksat e larta. Konsumi ka pësuar rënie në rekorde historike. Eksportet dhe investimet janë në rënie, dhe këto tregues janë ekonomia e vendit. Asnjë investitor i huaj nuk ka shkelur në këto tre vite, madje investitorët po largohen. Kryeministri vazhdon të krenohet me TAP-in dhe Hidrocentralin e Devollit, të dyja punë të nisura nga qeveria e mëparshme”, u shpreh Nënkryetarit i Partisë Demokratike.

Për sa i përket çështjes së përgjimeve dhe trafikut të drogës, Spaho tha se kryeministri i ka mohuar, por e vërteta është krejtësisht tjetër.

“I njëjti kryeministër që thotë nuk ka përgjime të paligjshme, ndërkohë që përgjime të paligjshme ka pasur, i njëjti që thotë s’ka trafik droge, kur droga ka mbuluar vendin, i njëjti që tha Elvis Rroshi nuk është dënuar asnjëherë, kur ai ishte dënuar më shumë se një herë, deklaroi sot në një retorikë 40 minutëshe se ekonomia qenka mirë”, tha Spaho.

Top Channel