SHBA ndëshkon PD: Opozita, zhgënjim. Deputetët ta votojnë reformën

07/06/2016 17:20

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur zhgënjimin e tyre për dështimin në arritjen e një vendimi përfundimtar në takimin e së hënës mes kryeministrit Rama dhe kreut te opozitës Basha, për reformën në drejtësi.

Përmes një njoftimi për shtyp, Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë përgjegjëse opozitën për këtë dështim, duke shprehur njëkohësisht edhe mbështetjen ndaj qeverisë për të çuar draftin drejt miratimit.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes kryeministrit Rama dhe liderit të opozitës Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi. Qeveria shfaqi fleksibilitet, por në fund opozita nuk bëri të njëjtën gjë. Prandaj, qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të Parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar, apo nëse do ta mbështesin këtë reformë”, deklaron Ambasada e SHBA.

Ndër të tjera, në reagimin e Shteteve të Bashkuara thuhet se, “procesi shterues” i negociatave e ka përmirësuar draftin e reformës, ndonëse lihet të kuptohet për ndryshime të mëtejshme, me qëllim afrimin e qëndrimeve mes palëve.

“Kjo reformë, të cilën e mbështesin shumica dërrmuese e shqiptarëve, mbetet një prioritet kyç për Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t’u siguruar që drafti përfundimtar i paraqitur në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi dhe në Parlament, të jetë një draft i drejtë, që përfaqëson idetë më të mira të ekspertëve vendas, ndërkombëtarë dhe Komisionit të Venecias”, përfundon njoftimi.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, që ka shprehur po ashtu keqardhjen që udhëheqësit politikë në Shqipëri nuk mundën të arrinin të hënën një marrëveshje.

“Ne e mbështesim fort vazhdimin e procesit demokratik për të siguruar miratimin e propozimit aktual legjislativ, i cili përputhet plotësisht me standardet evropiane dhe angazhimet e Shqipërisë ndaj BE-së”, thuhet në reagimin e misionit të BE.

Sikurse homologët amerikanë, edhe delegacioni vlerëson se, “të gjithë anëtarët e Kuvendit mbajnë përgjegjësi të veçantë para shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efikas”.

“Ne e nxisim Shqipërinë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për miratimin e paketës ligjore për reformën në drejtësi”, përfundon deklarata zyrtare.

Top Channel