Përgjimet, Basha: Denoncimi i PD doli i vërtetë. Të shkarkohet Tahiri

07/06/2016 14:05

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas pezullimit nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, për shkak të rastit të përgjimeve.

Në një deklaratë për mediat, Basha ka deklaruar se ky vendim i gjykatës tregon se kemi të bëjmë me “një shkelje flagrante të sigurisë kombëtare dhe sigurisë së qytetarëve të shqipërisë”.

“Ky skandal, i denoncuar nga opozita, sot ka dalë në dritë sepse për shkak të hetimit kanë dalë rezultatet e para dhe gjykata ka urdhëruar pezullimi nga detyra të Haki Çakos dhe arrestimin e drejtorit të Forcave Operacionale”, ka deklaruar Basha.

Ai është shprehur se, këto hapa tregojnë vendosmërinë e prokurorisë, por janë të pamjaftueshëm, pasi personi përgjegjës sipas tij është ministri i Brendshëm.

“Ne nuk do pranojmë koka turku në këtë proces kaq të rëndësishëm për sigurinë kombëtare, ne nuk do të pranojmë që njeriu në krye të këtij operacioni të pistë të vazhdojë të qëndrojë në detyrë”, ka thënë Basha.

Sipas tij, në çdo vend me standard minimal demokratik, një ministër i Brendshëm që kapet duke futur një pajisje përgjimi ilegalisht duhet të jepte dorëheqjen dhe do të ishte në dispozicion të drejtësisë. Por kjo nuk ndodh në Shqipëri, ka vijuar ai, dhe kryeministri i bën presion prokurorisë.

“Ndaj kërkojmë transparencë, por Edi Rama i është shmangur përgjegjësisë politike që ka për të larguar ministrin e Brendshëm. Pse e mban me thonj Rama Tahirin? Fakti që drejtori i përgjithshëm është pezulluar tregon implikimin e pashmangshëm të ministrit”, ka thënë Basha.

Ai i ka rritur ambicjet e tij kur ka thënë se, “kjo situatë kërkon edhe largimin e menjëhershëm të kryeministrit”, por është shprehur i vetëdijshëm se kjo nuk ka gjasa të ndodhë.

“Por nuk kemi shpresa që Rama do ta bëjë këtë. Ndaj dhe ngurron të japë konsensusin për një drejtësi të pavarur prej tij, ndaj pengon çdo reformë që do të pamundësonte skandale të tilla. Një drejtësi e tillë sigurisht që është problematike”, ka vijuar Basha.

Ai ka akuzuar ministrin Tahiri se, “ka ekspozuar shtetnin brenda shtetit, me interesa mafioze e kriminale”, ndaj dhe ka kërkuar largimin e tij nga detyra, “si parakusht për krijimin e kushteve për hetimin dhe zbardhjen e plotë të këtij skandali”, ka shtuar Basha.

Top Channel