PD: Edi Rama është në krye të përgjimeve të paligjshme

07/06/2016 19:20

Partia Demokratike është shprehur se “Edi Rama ka sulmuar sot Prokurorinë me një letër tipike nga ato që bën për Elvis Rroshin, pikërisht pasi drejtësia kapi në shkelje të ligjit Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe disa vartës të tij, për përgjimet e paligjshme”.

Me anë të një deklarate për shtyp, PD-ja thotë se në vend që Edi Rama t’i kërkonte ndjesë popullit të tij sepse “u vërtetua që pajisja e përgjimit është futur në mënyrë të paligjshme dhe është përdorur në mënyrë të paligjshme”, i kërkon ndjesë qeverisë italiane.

“Ai i kërkon një falje të pakërkuar, të panevojshme qeverisë italiane, duke e kërkuar me zor ta bëjë edhe atë palë në këtë krim shtetëror. Ne e dimë mirë se drejtësia atje, opinioni publik, mediat, shoqëria civile do të reagonin me forcë nëse një pajisje e paligjshme do kishte hyrë në territorin e tyre, pa u deklaruar, dhe do të përdorej pa autorizimin e Prokurorit. Edi Rama duhej sot të dorëzonte Saimir Tahirin, e të hiqte kështu pengesën që ka drejtësia për të bërë hetim të plotë e të gjithanshëm për këtë skandal mbi skandalet. Por ai bën krejt të kundërtën. Sulmon institucionin e prokurorisë, sulmon drejtësinë, vetëm e vetëm për të mbrojtur paligjshmërinë dhe krimin shtetëror. Edi Rama u vetëdenoncua se është ai në krye të përgjimeve të paligjshme. Dhe prandaj kërkon ta mbrojë krimin deri në fund”, lexohet në deklaratën e PD-së.

Top Channel