Takimi për reformën, Rama dhe Basha përballë në tryezë

06/06/2016 00:00

Edi Rama dhe Lulzim Basha janë ulur në tryezën e përbashkët në Pallatin e Kongreseve, ku kanë mbërritur pak minuta njëri pas tjetrit, për takimin për reformën në drejtësi.

Kryeministri Rama shoqërohet nga Fatmir Xhafaj dhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili. Ndërsa kreu i opozitës nga Oerd Bylykbashi dhe Edi Paloka.

Por perspektiva për një kompromis duket e largët. Megjithë përpjekjet e ndërkombëtarëve brenda dhe jashtë vendit, duket se Partia Demokratike nuk heq dorë nga kushti i saj për vendet e rezervuara në organet e reja të drejtësisë, thjesht po pret që mazhoranca ta pranojë atë.

Për të komentuar zhvillimet para takimit, e lidhur me studion e lajmeve të orës 15:00 në Top Channel ishte redaktorja e politikës, Elona Meço, e cila ndjek këtë takim.

TCH: Elona, Top Channel ka mësuar se së paku formula e takimit ka ndryshuar nga mazhoranca. Në ekip me Edi Ramën, përveç Fatmir Xhafajt do të jetë Petrit Vasili, numri dy i LSI. Por a është prania e tij një premisë plus se kompromisi mund të arrihet?

Elona Meço: Besoj se jo, sepse Vasili është nënkryetar i LSI, është i besuari i Metës, por edhe ai që garanton votat e LSI për reformën. Kjo do të thotë një kompaktësi e mazhorancës. Por kjo nuk do të thotë se PD mund të ndryshojë qëndrimin e saj pse LSI është në tryezë. Meta ka deklaruar se votat e LSI janë për draftin e qeverisë që mbështetet nga ndërkombëtarët.

TCH: Elona, Partia Demokratike duket se është ajo që po i qëndron fort pikëpamjes së saj. Por po ashtu po këmbëngulin edhe ndërkombëtarët. Dihet se cilat kanë qenë përpjekjet e tyre sot dhe a janë ata thjesht korrierë mes dy palëve, apo kanë një qëndrim të vetin?

Elona Meço: Ndërkombëtarët në të tilla raste nuk flasin hapur. Qëndrimi i fundit është ai i Federica Mogherinit që ka kërkuar që javën e ardhshme në Parlament të sigurohen votat. Por sot Donald Lu ka qenë në zyrën e Lulzim Bashës dhe më pas me përfaqësues të mazhorancës për të siguruar një marrëveshje, që PD të pranojë e votojë draftin. Nga burimet e mia jodakordësia e plotë ka mbetur tek vendet e rezervuara. Mazhoranca e ka dhënë variantin me dy të tretat e votave për opozitën, por PD thotë se e ka konsoliduar qëndrimin se ka pranuar formulën e vendeve të rezervuara për disa institucione të drejtësisë, një formulë që ajo thotë se ia ka dhënë OPDAT-i dhe është formalizuar në variantin final të Komisionit të Venecias në muajin mars. PD thotë se ky është një standard europian, e përdor Malta, Kroacia e përse të mos e përdorë edhe Shqipëria. Do të presim orën 5 për të marrë vesh nëse PD do të pranojë dy të tretat, që nga burimet e mia nuk ka për ta pranuar asnjëherë, dhe do të jetë ky qëndrimi i opozitës, vendet e rezervuara.

TCH: Dje Mogherini përsëriti atë që tha komisionari Hahn. Ajo foli për dy të tretat dhe për përgjegjësi individuale të deputetëve. A është ky paralajmërim se vetë Partia Demokratike mund të ketë thyerje në radhët e saj, nëse drafti i drejtësisë shkon në mënyre të njëanshme në Parlament?

Elona Meço: Nëse do t’i linim vend një spekulimi të arsyeshëm, po. Janë disa deputetë të PD që kanë shprehur gatishmërinë për të patur edhe draftin e reformës në drejtësi. Janë disa deputetë demokratë që quhen europianistë apo pro-amerikanë dhe me kontakte të ngushta në Bruksel dhe Uashington. Por një mbledhje grupi e PD ende nuk është zhvilluar që palët të ndahen përfundimisht. Prandaj, gjithçka varet nga takimi i orës pesë. Ky do të jetë një takim vendimtar se ç’do të ndodhë këtë javë, nëse drafti do të jetë i dakordësuar përfundimisht, nëse nuk do të jetë besohet se ai do të shkojë në Parlament dhe do të shihet nëse janë dy të tretat apo jo, me apo pa PD, me apo pa deputetë të veçantë të PD.

Top Channel