Pas Hahn, edhe Meta: Reforma në Drejtësi ose humb statusi

02/06/2016 00:00

Fjalitë e Ilir Metës nuk lënë vend për të interpretuar sesi do të votojë, në çdo rast, Lëvizja Socialiste për Integrim reformën në drejtësi.

“Prandaj unë theksoj se 20 votat e LSI-së nuk janë nga sot për këtë reformë, por kanë qenë prej disa javësh dhe janë në vijën e parë të miratimit. Jo të preteksteve, vonesave dhe jo të përllogaritjeve partiake, politike apo elektorale”, deklaroi Meta.

Duke iu bashkuar apelit të Johannes Hahn, kreu i Kuvendit shpjegoi edhe domethënien e fjalisë së komisionerit për Zgjerimin se, këto ditë vendoset nëse Shqipëria do të ecë drejt kampionatit europian, apo do të mbesë në fazën e grupeve.

“Dhe kjo do të thotë se nuk mund të ketë një rekomandim dhe një hap tjetër përpara të Shqipërisë drejt çeljes së negociatave për anëtarësim, në rast se kjo reformë nuk miratohet dhe nuk miratohet tani”, tha më tej Meta.

Ajo çfarë ra në sy gjatë fjalimit të kreut të LSI-së ishte heshtja e tij për takimin e pritshëm mes Ramës dhe Bashës.

*** Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim mblodhi pasditen e kësaj të enjteje Këshillin Drejtues Kombëtar të kësaj force politike. Meta tha gjithashtu se reforma tashmë nuk është çështje mes forcave politike, por një detyrë kombëtare, një përgjegjësi e jashtëzakonshme që duhet përmbushur për interesin e forcimit të ligjit në vend dhe rritjen e besimit të qytetarëve te drejtësia.

“Ne mbajmë përgjegjësi për LSI-në, për ata që na kanë votuar dhe që janë edhe më të shumtë sesa 3 vite më parë, por edhe për të gjithë qytetarët shqiptarë. Shpresoj që, sikurse thekson komisioneri Hahn, të gjitha forcat politike të miratojnë këtë reformë, sepse certifikimi nga ndërkombëtarët nuk mungon për miratimin e saj”, deklaroi Meta.

Kryeparlamentari Meta nuk la pa përmendur edhe reformën zgjedhore, si pasuesen e menjëhershme të dekriminalizimit dhe reformës në drejtësi, duke theksuar edhe njëherë se, asnjë element me rekorde kriminale nuk duhet të ketë vend në postet dhe zyrat publike.

“Sigurisht që miratimi i reformës në drejtësi, zbatimi i dekriminalizimit, duhet të pasohet edhe me reformën zgjedhore, si një prej reformave të tjera të rëndësishme të vendit. Jemi në kohën e duhur për të përfunduar njërën dhe për të nisur nga tjetra, për të shmangur lënien në minutat e fundit përpara zgjedhjeve të ardhshme”, tha ndër të tjera Meta.

Top Channel