Kryebashkiakët shpjegojnë “krimet”

22/05/2016 00:00

Dy kryebashkiakë që në formularët e dekriminalizimit rezultojnë individë me probleme me ligjin jashtë territorit të Shqipërisë, kanë sqaruar pozicionin e tyre.

Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj thotë se ai është ndaluar në vitin 1995 në Itali pasi makina që ai kishte blerë në këtë shtet rezultonte me dokumente të falsifikuara.

Sipas Kapllanajt, për këtë episod ai është dënuar me 2 vite burg të pezulluar dhe 200 euro gjobë, por asnjëherë nuk është arrestuar apo dërguar në qeli për të vuajtur dënimin.

Por, zyrtarë të Partisë Demokratike nga qyteti i Krujës kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut.

“Sot i bëjmë disa pyetje dhe i bëjmë thirrje Prokurorisë të hetojë rastin e Bushit, duke pyetur: A keni pasur emrin Katriot Cakoni? A jeni arrestuar, hetuar dhe dënuar në Itali për trafik prostitucioni dhe shpërndarje të lëndëve narkotike me emrin Katriot Cakoni?”, ngre pyetjet Ervin Salianji nga PD.

Ndërkohë, në reagimin e tij edhe kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi thotë se në dëshminë e penalitetit të autoriteteve italiane ai rezulton i padënuar.

Bushi bën me dije se është ndaluar 2 herë në shtetin italian, në 1996 kur u lirua menjëherë dhe në 2010-n kur u mbajt 44 ditë, por më pas rezultoi i pafajshëm.

Bushi zotohet se nëse këto që thotë rezultojnë të pavërteta, ai do të japë dorëheqjen.

Top Channel