Idrizi: Jemi parti demokratike. E tregoi gara

22/05/2016 00:00

I konfirmuar me një tjetër mandat në krye të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, në një dalje përpara mediave vlerësoi mbi të gjitha pjesëmarrjen e madhe në votime, e cila, sipas tij, tregon se PDIU-ja është forcë politike që përfaqëson të gjithë shqiptarët dhe se është parti e së ardhmes.

“Dje vërtetuam se jemi një parti e vërtetë politike, një familje e madhe me prani në të gjithë vendin, me qytetari e maturi, pa “fëmijë plangprishës” e plot solidaritet midis nesh. Kjo familje, familja jonë, më besoi që unë të jem shërbëtori i parë për ta drejtuar në 4 vitet e ardhshme. Përqindja reale që mori rivali im ishte legjitimim i procesit, që bëhet kështu proces unik gare në gjirin e partive parlamentare”, deklaroi kreu i PDIU-së.

Idrizi u zotua përpara anëtarëve për të vijuar betejat të cilat PDIU-ja i ka në themel të ekzistencës së saj: “Bashkimi kombëtar do të jetë ylli jonë polar dhe do të qëndrojë e pandryshueshme në politikën e PDIU-së. Zgjidhja e çështjes çame do të jetë objektivi ynë i palëkundur, derisa të kemi frymë. Se amanetin nuk e tret as dheu”.

Ndërkaq, kundërshtari i Idrizit në këtë garë brenda partisë, Halil Hyseni, i cili mori 27.6 % të votave, vlerësoi procesin zgjedhor dhe u shpreh se askush nuk duhet të ketë frikë nga gara dhe se PDIU-ja, me këtë proces, tregoi një nivel shumë të lartë demokracie.

Top Channel