Basha: Pushteti i Ramës po shkërmoqet; Rama: SHQUP-i vijon avazin

21/05/2016 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar këtë të shtunë se, formularët e vetëdeklarimit po nxjerrin gradualisht në dritë emrat e politikanëve dhe funksionarëve shtetërorë të inkriminuar, të cilët, siç tha ai, kanë një “kumbar” të vetëm, kryeministrin Rama.

Në një komunikim me mediat, Basha ka paralajmëruar se, pushteti i inkriminuar i kryeministrit do të fillojë të zhbëhet përmes një procesi, në krye të të cilit do të jetë vetë opozita.

“Informacionet e ardhura nga partnerët tanë dhe qytetarët tregojnë se shumë funksionarë të tjerë, kanë fshehur të dhënat e tyre në formularët e deklarimit.

Rama është në fakt autori numër një i promovimit të individëve me rekorde kriminale në politikë, por kjo ka filluar të zhbëhet dhe do të çmontohet deri në burmën e fundit siç kam premtuar kur e filluam këtë betejë.

Pas kërkesës sonë, KQZ ka dorëzuar materialin e kërkuar për elitën politike të vendit, deputet, ministra, kryebashkiakë dhe me këtë nivel do të nisë dhe puna e PD për të ecur përpara me të dhënat që disponojmë ose që vazhdojnë të vijnë nëpërmjet qytetarëve shqiptarë. PD do ta materializojë këtë veprim në prokurori me emra konkretë”, ka deklaruar Basha.

Ndërkohë, kryeministri Rama është përgjigjur pak më vonë përmes një postimi në rrjetin social Facebook. “SHQUP-i vazhdon avazin, ndërkohë të dënuarit na dolën në anën e tij jo në anën tonë! Hapën gropën e ranë vetë brenda”, është shprehur Rama në profilin e tij.

Top Channel