A prek njeri ligji? PD: Jo, por mund të jenë fshehur. PS: Rëndësi ka verifikimi

21/05/2016 00:00

Pas publikimit të emrave të përfshirë në hetime apo procese gjyqësore, Top Channel kontaktoi me të dy bashkëdrejtuesit e komisionit që hartuan ligjin për dekriminalizimin.

Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike, duke iu referuar publikimit të listës nga TCH tha: “Nuk më zuri syri gjë. Por nuk përjashtohet mundësia e fshehjes”.

Me këtë përgjigje të zotit Bylykbashi, duket se në këtë fazë të parë, atë të vetëdeklarimit, ligji nuk prek asnjë zyrtar apo politikan. Ndërsa Taulant Balla i Partisë Socialiste, duke iu referuar po të njëjtës listë të publikuar nga TCH, u shpreh se ky është vetëm fillimi.

“Kjo është vetëm faza e parë e procesit, e cila ka të bëjë me vetëdeklarimin. Tani fillon pjesa më e rëndësishme që është faza e verifikimit, e cila në çdo rast që është e mundur duhet të synojë realizimin në një kohë të mjaftueshme verifikimin e plotë e të gjithanshëm të të dhënave dhe nxjerrjen në kohë të përfundimeve të verifikimit, në funksion të largimit nga funksioni publik i personave që hyjnë nën juridiksionin e ligjit”, dekalroi Balla.

Publikimi i formularëve të vetëdeklarimit të zyrtarëve subjekt të ligjit për dekriminalizmin nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duket se sapo ka nisur fazën e re të akuzave mes palëve. Të parët ishin kryeministri Rama dhe kreu i opozitës, Basha me komentet në rrjetet sociale.

Top Channel