Në emër… të pushtetit, ata që kanë ndryshuar anagramin në politikë

20/05/2016 00:00

Jo vetëm të ndaluar apo të dënuar nga drejtësia. Moda tjetër mes përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë është ajo e të pasurit më shumë se një emër. Dhe atë e gjen edhe në majat më të larta të pushtetit.

I pari është Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë. Sipas formularit të vetëdeklarimit në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, deri në vitin 2001 kryeministri rezulton të ketë mbajtur emrin Edvin dhe pas kësaj periudhe ai e ka ndërruar atë në Edi.

Por Zoti Rama figuron të mos jetë i dënuar apo ndaluar ndonjëherë nga organet e zbatimit të ligjit, një nga motivet kryesore se pse zyrtarët e lartë ndërrojnë emrin. Në rastin e tij motivet duken më shumë estetike.

Por edhe rivali i tij, Lulzim Basha rezulton të ketë përdorur më shumë se një emër, siç thotë vetë, jo për faj të tij.

Një tjetër kryetar partie po ashtu figuron të ketë ndryshuar gjeneralitetet, por këtë radhë mbiemrin. Bëhet fjalë për kreun e Partisë Republikane Fatmir Mehdiu, i cili më parë është quajtur Fatmir Mehdihoxha.

Në Parlament ka dhe të tjerë deputetë që kanë ndryshuar emrin apo mbiemrin. Ilir Xhangolli, deputet i Partisë Socialiste në Korçë rezulton që më parë të ketë mbajtur emrin Ilirjan.

Robert Bitri, deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Fier, më parë është quajtur Albert, ndërsa Nard Ndoka, përfaqësues i qarkut të Lezhës me parë ka mbajtur emrin Mark Ndokaj.

Shkëlqim Selami, deputeti i LSI në Vlorë po ashtu ka ndryshuar mbiemrin, që më parë e ka pasur Selamini. Ndërrime emrash ka edhe në radhët e kryebashkiakëve.

Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës, deri në vitin 2002 ka mbajtur emrin Ervin Roshi. Një tjetër kryebashkiak, ai i Hasit, Adem Lala, më parë është quajtur Dem Lala.

Por zyrtari rekordmen në ndryshimin e emrit është një kryer bashkie. Artur Bardhi i Laçit rezulton që ta ketë ndërruar katër herë emrin e tij. Më parë ai ka mbajtur emrat Gentian Lila, Altin Tanushi dhe Gent Bushi.

Top Channel