Zhduket avioni në Egjipt, kërkime masive në Mesdhe

19/05/2016 08:30

Një avion i kompanisë ajrore EgyptAir, që udhëtonte nga Parisi drejt Kajros, është zhdukur nga radarët. Alarmi u dha nga kompania që zotëron avionin, e cila tha se në bordin e tij janë 66 njerëz, mes të cilëve 56 pasagjerë, 7 anëtarë ekuipazhi dhe 3 oficerë sigurie. Mësohet se avioni AirbusA320 po fluturonte në lartësinë 11000 metra kur u zhduk mbi Mesdheun lindor.

Egjipti ka nisur disa ekipe kërkimi për të gjetur avionin, fati i të cilit ende nuk dihet. Kompania EgyptAir tha avioni u zhduk pasi kishte hyrë rreth 16 km në hapësirën ajrore egjiptiane dhe se menjëherë ishin lajmëruar autoritetet përkatëse. Operacionet e kërkimit po koordinohen edhe me autoritetet greke. Sipas autoriteteve egjiptiane, pasagjerët në bordin e avionit janë 30 egjiptianë, 15 francezë dhe 11 shtetas nga vende të tjera.

Analistët thonë se Airbusët A320 përdoren gjithnjë për udhëtime të shkurtra dhe dosja e tyre e sigurisë është e mahnitshme. Avioni i kompanisë EgyptAir u nis nga Parisi pak para mesnatës dhe duhej të mbërrinte në Kajro rreth orës 3 të mëngjesit të ditës së enjte. Autoritetet egjiptiane nuk kanë dashur të spekulojnë se çfarë mund t’i ketë ndodhur avionit, por pista e terrorizmit është gjithnjë e pranishme.

Tetorin e shkuar, një avion pasagjerësh rus u rrëzua pranë Sharm el Sheik me 224 njerëz në bord dhe sipas Moskës, shkaku ishte një sulm terrorist.

Top Channel