Vorë, përmbyset autoboti. Ka rrjedhur alkool etilik, por nuk ka rrezik

19/05/2016 23:10

Një drejtues i një autoboti i ngarkuar me 25 mijë litra alkool etilik humbi kontrollin e mjetit dhe e përmbysi atë gjatë një manovre të gabuar për të hyrë në kthesë. Përmbysja e mjetit bllokoi rrugën, ndërsa dha alarm për shkak të sasisë së madhe të alkoolit i cili edhe mund të provokonte zjarr.

Drejtuesi i botit ishte një shtetas bullgar që po transportonte sasi lëndë alkoolike për një firmë të prodhimit të pijeve alkoolike në Shqipëri.

Policia rrethoi menjëherë zonën nga frika e ndonjë shpërthimi, ndërsa u lajmëruan menjëherë forcat e emergjencave civile të cilët kanë evakuuar disa nga banorët e dy shtëpive që ndodheshin shumë afër vendit ku ndodhej autoboti i përmbysur.

Zjarrfikësit kanë hedhur në të gjithë tokën e lagur nga alkooli i derdhur nga autoboti shkumë për ta neutralizuar atë.

Policia që bllokoi fillimisht kalimin e automjeteve në atë segment rrugor thirri me urgjencë inxhinierët e firmës që dispononte mallin për të mësuar më shumë për lëndën alkoolike.

Inxhinierët kanë siguruar se alkooli i derdhur nuk ka asnjë rrezik për banorët përreth dhe nuk mund të provokonte zjarr. Pas kësaj sigurie të dhënë nga inxhinierët ka rifilluar edhe qarkullimi i mjeteve në rrugë.

Policia tha se do të procedojë shoferin e autobotit i cili humbi kontrollin. Shoferi bullgar ndodhet në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ka plagë të lehta në trup.

Top Channel