Vlorë, sekuestrohen 25 kg kanabis; arrestohen 4 shtetas dhe një polic

19/05/2016 09:25

Një polic i Postës së Dhërmiut dhe 4 persona janë arrestuar për shkak se posedonin një sasi prej 25 kilogramë hashash.

Hetimi i Shërbimit për Çështjet e Brendshme në polici, solli aksionin e koduar me emrin “Storm” dhe çoi në pranga policin Hasan Hysenaj, 47 vjeç, lindur në fshatin Sevaster dhe banues në Vlorë, polic kufiri në Dhërmi.

U arrestua gjithashtu një 18-vjeçar po nga fshati Sevaster si dhe shtetasit  Ferdbent Hoxha, Emiljano Lazaj dhe Mjaftim Jonuzaj. Ata u kapën në flagrancë në rrugën nacionale në afërsi të fshatit Babicë, duke udhëtuar me automjetin në pronësi të policit.

Gjatë kontrollit u gjet një sasi me lëndë narkotike prej 25 kilogramësh, e cila ishte sistemuar dhe e ndarë në 6 thasë plastikë të zinj, fshehur në bagazhin e këtij mjeti, me qëllim trasportin dhe shitjen e saj.

Top Channel