Policia italiane ka mbyllur debatin për pajisjen përgjuese. Në një letër që drejtori i saj Alesandro Panza i çon Adriatik Llallës përmes Ambasadës italiane, konfirmon se pajisja nuk është përdorur për asnjë lloj përgjimi dhe se ka qenë gjithmonë në zotërim të palës italiane vetëm për qëllime trajnimi.
Në letrën dërguar Adriatik Llallës, Drejtori Përgjithshëm i Policisë italiane, Alesandro Panza, konfirmon atë që tha ministri Tahiri se marrëveshja për trajnimin e policisë shqiptare për këtë pajisjes, është firmosur në datën 9 qershor të vitit 2007 nga ministri i asaj kohe i Punëve të Brendshme, sot Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
“Është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në luftën kundër kriminalitetit, mes Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Artikulli i tretë i kësaj marrëveshjeje parashikon që palët të bashkëpunojnë, mes të tjerash, në aktivitete të fokusuara në formimin dhe trajnimin në luftën kundër kriminalitetit në të gjitha format e saj”, shkruhet në letër.
Sipas numrit një të Policisë italiane, me vënien në zbatim të kësaj marrëveshje, në 11 mars të 2016 janë nisur në Tiranë dy operatorë të specializuar nga forcat e policisë italiane me detyrën për të zhvilluar aktivitete ne për trajnimin e policisë lokale.
“Në këtë pikë, personeli italian merr me vete, për aktivitet stërvitore të cituara, një autoveturë me në ekuipazh një aparaturë të quajtur ‘IMSICATCHER’, modeli Vortex i prodhuar nga kompania Ercom, e instaluar në brendësi të makinës”.
Drejtori i Policisë Italiane, Alesandro Panza, mbyll çdo debat të javës së fundit lidhur me mundësitë që kjo pajisje të jetë përdorur për përgjime të të gjitha llojeve, përfshirë edhe “Whatsapp” apo “BBM”.
“Ky aset stërvitor rezulton i konfiguruar në mënyrë të tillë që mos të ketë mundësi të zhvillojë asnjë aktivitet gjurmues, as trafiku zanor, as tekst mesazhe. Ky konfigurim, i cili nuk është i modifikueshëm nga operatori, nuk lejon as gjurmimin e trafikut të datave”, shkruhet në letër.
Letra e policisë italiane dërguar Kryeprokurorit Llalla, konfirmon, ashtu siç tha Top Channel të mërkurën se pajisja është futur nga një port. Operatorët e forcave të policisë italiane, qe kanë sjellë me vete aparaturën me qëllimet e sipërpërmendura, janë pritur në portin e Durrësit nga zyrtarë të policisë shqiptare.
Por, policia italiane konfirmon me përgjegjësi të plotë se kjo pajisje nuk ka qëndruar për asnjë minute në duart e kolegëve të tyre shqiptarë.
“Aparatura trajnuese ka qënë gjithmonë në zotërim të operatorëve italianë dhe e ruajtur, kur kjo nuk përfshihej në aktivitete formuese dhe trajnuese, në zyrën ndërlidhëse italiane në Shqipëri, në brendësi të Ambasadës Italiane në Tiranë”, shkruhet në letër.
Sipas letrës se Kryepolicit italian, Panza, me këtë pajisje janë trajnuar 5 operatorë të policisë shqiptare, me aktivitete të zhvilluara në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Vlorës, dhe se sipas tij, aktiviteti trajnues nuk do të mund të kishte mundësi të kryente shkelje të asnjë lloji, nga personeli i policisë italiane i punësuar.
Gjithsesi, në fund policia italiane i kujton Prokurorisë shqiptare se në zbatim të marrëveshjes, ajo gëzon, në bazë të artikullit 8, imunitet nga juridiksioni civil, penal dhe administrative për çdo veprim të bërë në ushtrimin e funksioneve të tyre.
Top Channel