Kosovë, ngrihet aktakuza për 20 të pandehur, përfshi Ukë Rugovën

19/05/2016 00:00

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 20 të pandehurve në rastin “Rugova”, ku djali i ish-Presidentit të Kosovës, Ukë Rugova akuzohet si kreu i një grupi të krimit të organizuar, që merrej me trafikimin e emigrantëve.

“Veprat penale, për të cilat është ngritur aktakuza, pretendohet se janë kryer përgjatë periudhës 2011-2014 dhe kanë të bëjnë me shitjen e vizave ‘Schengen’ të BE-së, të siguruara përmes korrupsionit dhe prezantimeve të rreme”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Në listën e të akuzuarve janë Ukë Rugova, Izet Beqiri, Azad Beqiraj, Fitim Beqiri, Visar Beqiri, Florian Petani, Kujtim Avdyli, Edison Idrizaj, Qefser Baholli, Liridona Beqiri, Hamza Beqiri, Driton Voca, Astrit Haraqija, Valon Selimi, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Azem Koskoviku, Alban Agushi, Haxhi Islami, Ragip Gashi dhe Fadil Ahmeti.

Aktakuza është ngritur prej një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale, pas hetimeve që ishin nisur nga Njësia e Policisë Kufitare të Kosovës për Hetime, të cilat ishin kryer nga ajo së bashku me Policinë e EULEX-it.

Grupi i Rugovës dyshohet se, për një vizë italiane ka fituar nga 2.700 deri në 3.500 euro.

Top Channel